Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 30 maj/ NOA - Qeveria e re që do të nisë punën në shtator, pas zgjedhjeve parlamentare do të përballet me probleme serioze të ekonomisë në vend.
Ekspertë të fushës janë të mendimit se shpenzimet e mëdha buxhetore tipike në një vit elektoral, nuk janë të mirëpritura në kohën kur ekonomia po përballet me efektet e krizës.
Edhe të dhënat më të fundit të ministrisë së financave na japin tablonë se të ardhurat nuk janë realizuar në masën e programuar, ndërsa shpenzimet janë tejkaluar.
Ekonomisti Gjergj Teneqexhiu thotë se, këto shpenzime janë një barrë e madhe për buxhetet në vazhdim.
Pasi kostot e financimit të buxhetit janë rritur ndjeshëm për shkak të interesave të kredive që janë marrë.
Sipas tij është e nevojshme një shpërndarje e njëtrajtshme e investimeve për gjatë gjithë vitit dhe nuk duhet të përqendrohen vetëm në një 6-mujor.
Mbi të gjitha shumë investime në një kohë mbartin mungesën e cilësisë. Nga ana tjetër edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit ka konstatuar se shpenzimet në këtë tremujore kane arritur në kufijtë maksimale.
E gjithë kjo situatë për ekonomistët kërcënon inflacion. Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës Sulo Hadëri shprehet se, qeveria po sillet në mënyrë tipike si në një vit elektoral.
Por ndryshe nga herët e tjera ky vit ka një specifikë pasi ekonomia po ndjen efektet krizës.
"Unë jam i mendimit se të gjitha këto investime të përqendruara në këtë periudhë do të rrisin papunësinë në 6-mujorin e dytë, si dhe do të sjellin ngadalësim të rritjes ekonomike"- shprehet Hadëri.
Ekonomia shqiptare ka dhënë efekte të prekjes nga kriza duke nisur që nga rënia e eksporteve, tkurrja e kreditimit, rënia e remitancave, zhvlerësimi i lekut, bllokimi i sektorit të ndërtimit, etj.
Banka e Shqipërisë ka sugjeruar disa herë që qeveria duhet të rishikojë buxhetin duke marrë në konsideratë të gjitha këto efekte.
r.l/NOA