English

Bëni siç themi ne por mos bëni siç bëjmë ne

Nga Glauk Konjufca

Këtu më poshtë po i rendisim disa qortime standarde të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës, të cilat udhëhiqen nga logjika e standardeve të dyfishta.

Sovraniteti

Shpesh dëgjojmë të na thonë që sovraniteti është një koncept paramodern, i tejkaluar dhe grotesk. Na këshillojnë që të mos merremi me sovranitetin, sepse duhet të merremi me "çështje konkrete", thuajse sovraniteti na qenka problem abstrakt. Ata na thonë: çka dreqin po iu vyen sovraniteti, kur nuk e keni edukimin, shëndetësinë, ekonominë etj. Pastaj, a nuk po e shihni tashmë që edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian nuk janë krejt sovrane. Ato ia kanë kaluar një pjesë të sovranitetit të tyre një institucioni supranacional siç është BE-ja. Në fund të fundit, krejt çka kërkojnë njerëzit është ta mbushin barkun dhe të rrojnë pa halle - e sovraniteti nuk hahet, as nuk është garant i lumturisë njerëzore. Kështu na thonë përditë "miqët tanë ndërkombëtarë" në koordinim të vazhdueshëm me politikanët tanë xhepthellë. Me fjalë të tjera, ata na thonë - bëni siç themi ne, e mos bëni siç bëjmë ne. Çdo vend prej nga vijnë zotërinjtë kolonizatorë e konsideron sovranitetin e vet të paprekshëm dhe vendimtar. Ata kanë zgjedhur që të jetojnë të lirë në shtetin e tyre, dhe si popull të jenë zot i tokës ku jetojnë, pasurive natyrore e jonatyrore, si dhe i jetës politike. Edhe kur vendosin që një pjesë të sovranitetit të vet t'ia dorëzojnë BE-së, ATA vendosin ta bëjnë këtë gjë, apo sërish, ATA vendosin të mos e bëjnë këtë gjë (sikur rasti i refuzimit të Kushtetutës së BE-së nga Franca, Holanda, apo Irlanda). Prandaj vendimi që të harmonizohet sovraniteti shtetëror me autoritetin mbinacional evropian, është pikërisht shkalla më e lartë e vetëvendosjes. Së pari, sepse kështu vendos populli. Së dyti sepse kjo nuk është sakrificë, por përllogaritje që synon të sjellë përfitime. Aty ku nuk shihet kurrfarë përfitimi, populli vendos të mos e dorëzojë sovranitetin (ekonomik), siç është rasi i Norvegjisë, e cila nuk është në BE për këtë arsye (ajo ka mbajtur dy herë referendum, dhe në të dyjat e ka refuzuar hyrjen në BE). Në këto shtete, po u zbulua një politikan që ka gënjyer, ai shtrëngohet të japë dorëheqje, kurse në Kosovën tonë, bashkëpunëtorët më të padiskutueshëm vendorë të bashkësisë ndërkombëtare janë mafiozët, hajnat, mashtruesit që janë bërë milionerë, pra gjithkush që në vendet e zotërinjve kolonizatorë do të përfundonte në burg.

Kufijtë

Pastaj na thonë që tematizimi i kufijve është nacionalromantizëm primitiv dhe lokalizëm baritor, sepse po jetojmë në kohën e lulëzimit të kozmopolitizmit global dhe interaksionit kulturor universal. Kufijtë janë bërë të parëndësishëm, na thonë zotërinjtë kolonizatorë dhe OJQistët tanë vendorë, sepse kufijtë evropianë sot as që vërehen - ata kalohen pa u hetuar, dhe pothuajse nuk e lënë përshtypjen e pikave kufitare dhe pranisë shtetërore. Pse ndodh kështu? Kështu ndodh sepse pikërisht mosdukja e kufirit tregon që ai është absolut, që konsensusi ndërshtetëror për të është i padiskutueshëm, përputhje kjo e cila garanton paqe mes shteteve, sepse ato e njohin njëra-tjetrën ashtu siç janë. Kufiri më i fuqishëm është ai i padukshmi - ai që tregon se njihet nga të dyja palët. Prandaj është i qëndrueshëm. Kufiri është sikur shëndeti - ai nuk vërehet përbrenda konditave të normalitetit. Por në çastin që ai do të bëhej i kontestueshëm nga njëra palë, menjëherë fillon shfaqja e kufirit si koncept dhe aktualitet: ai militarizohet, diskursi ashpërsohet, marrëdhëniet ndërshtetërore acarohen, ato diplomatike ngrihen. Tash së fundi e pamë edhe konkretisht sa i rëndësishëm është territori dhe vetë kufiri për shtetet e BE-së. Sllovenia që është shtet anëtar i BE-së, paralajmëroi që do ta shfrytëzojë të drejtën e vet të vetos për t'ia pamundësuar Kroacisë hyrjen në BE, për pa u zgjidhur kontesti kufitar ndërmjet këtyre dy shteteve lidhur me gjirin e Piranit prej 20 km2. Ky kontest territorial është i vjetër 18 vjet. Kurse Kroacia ka marrë qëndrim shtetëror që nuk do ta pranonte hyrjen në BE, nëse çmimi do të ishte një zgjidhje prosllovene e kontestit. (Të mos harrojmë që Plani i Ahtisaarit ia dha 2500 hektarë territor të Kosovës Maqedonisë; mijëra hektarë Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd; kurse mijëra hektarë territor të Kosovës përgjatë kufirit me Malin e Zi janë kontestuar nga ky i fundit; në anën tjetër Shqipëria para disa javësh ia fali Greqisë 225 km2 ujëra detare). Kjo tregon që kufijtë janë absolut për nga rëndësia, por edhe që ata bëhen edhe më të fortë kur njihen. Këtu te ne në Ballkan, kufijtë janë shumë të dukshëm, sepse ata nuk njihen. Kosova është një përjashtim i dukshëm në këtë mes. Kufijtë e saj janë të padukshëm (p.sh. kufiri Kosovë-Serbi në veri) pikërisht ngaqë nuk njihen (nga Serbia). Përbrenda këtij kuadri të situatës, pra kur Serbia kontrollon disa territore të Kosovës, të thuash hajde t'i lëmë kufijtë tash sepse ata janë të parëndësishëm në Evropën tonë të hapur, është formë e tërthortë e arsyetimit të Serbisë. Â Â Â

Ushtria

Zotërinjtë kolonizatorë dhe, natyrisht, analistët tanë të inercisë, shpesh na e kujtojnë relativitetin e ushtrisë në botën e sotme të paqes e demokracisë. Në anën tjetër, të gjitha shtetet demokratike e kanë rritur buxhetin ushtarak si dhe e kanë sofistikuar armatimin e tyre ushtarak. Ato mendojnë se mbrojtja e vlerave të brendshme dhe kufijve të jashtëm garantohet nga ushtria e fortë. Pavarësia sigurohet nga ushtria. Kurse (zotërinjtë kolonizatorë) neve na këshillojnë që ushtria vetëm harxhon para palidhje, kështu që (analistët tanë me qira) na thonë pse të harxhojmë para kur po na mbron NATO-ja gratis. Por shtrohet pyetja, përse vetë shtetet evropiane demokratike, nuk i shuajnë ushtritë e tyre shtetërore, dhe t'ia dorëzojnë NATO-s sovranitetin dhe mbrojtjen? Sepse, në fakt, ajo që ndodh është një NATO e fortë pikërisht ngaqë kemi ushtri shtetërore të forta, të cilat e përbëjnë NATO-n, e jo e kundërta. Nuk mund ta mbrojë NATO-ja Francën, Gjermaninë apo Italinë e cila nuk mund ta mbrojë vetveten. NATO-ja pa ushtritë e fuqishme përbërëse të shteteve anëtare është një koncept i thatë pa aktualitet. Një shtet ushtarakisht i fuqishëm sikur ShBA-të, Franca apo Italia, është aq i fortë përbrenda sa e ka komoditetin e angazhimit të jashtëm ushtarak në anën tjetër të botës. Kurse kur je ushtarakisht i dobët si Kosova, edhe me NATO-n përbrenda nuk mund t'i ndalësh strukturat paralele të Serbisë dhe nuk mund ta mbrosh integritetin territorial të vendit. Sepse kur je i dobët, nuk mund t'i ndihmosh vetes e, si rrjedhi, as NATO-s. E keqja është që, kur nuk mund t'i ndihmos as vetes as NATO-s, kjo e fundit të sheh gjithnjë si interes të thjeshtë strategjik, dhe kurrjëherë si interes vital.

KOMENTE