Thirrë, 30 maj/ NOA - Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai kosovar Hashim Thaçi, do të jenë sot në mesditë, në një ceremoni të përbashkët për hapjen e tunelit që ndan Shqipërinë dhe Kosovën.
Ceremonia mbahet në mesditë në orën 12.00. burime nga ekipi i përgatitjes së ceremonialit thanë për agjencinë e lajmeve NOA se vetëm 20 vetë për çdo delegacion janë lejuar të marrin pjesë në momentin historik.
Delegacioni i kryesuar nga Thaçi dhe ai i kryesuar nga Berisha do të takohen që të dy në pjesën e tunelit që ndante zonën e Thirrës me Kalimashin.
Ceremonia solemne e takimit të dy kryeministrave në pikën ku bashkohen dy anët e tunelit, do të shoqërohet me masa tepër të rrepta sigurie.
Referuar kërkesës së kompanisë ndërtuese, vetëm 20 persona do të lejohen të jenë të pranishëm në ceremoni, nga dy delegacionet e kryeministrave Thaci dhe Berisha. Ndërkohë të gjithë gazetarët dhe kamerat do të duhet të presin në fillim të tunelit, ne pjesën e Thirrës së Fanit ku edhe do të zhvillohet konferenca për shtyp e të dy kryeministrave. Rruga Durrës-Kukës është e gjatë 170 kilometra. Pritet që më 27 qershor, një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit parashikohet të pritet shiriti i përurimit të rrugës Durrës-Kukës.
e.l/NOA