English

Evroskepticizmi

Nga Salih Mehmeti

Juntat politike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë nuk e kanë aftësinë as më të vogël rreth të kuptuarit të historisë; ata nuk kanë se si ta dinë që nuk kanë mësuar nga historia, si pasojë ata nuk dinë të fiqirojnë nga historia, prandaj ata as nuk bëjnë histori, ndonëse janë aq grykës për të.

Ata e përfytyrojnë tërë mall veten e tyre se si historia do t'i përmend si apostuj të paqes që e udhëheqin popullin e vet drejt ‘Tokës së Premtuar', drejt asaj BE-je, që gjithëherë po bëhet më e largët. Ka goxha kohë që brenda fjalorit të tyre politik kanë zënë vend shprehje të reja se si shqiptarët nuk kanë përse të bashkohen hëpërhë, se me të hyrë në BE ‘zhduken kufijtë' dhe bashkimi i shqiptarëve rrumbullakësohet në Bruksel! Këta zotërinj pandehin se roli i kufirit do të shkojë drejt relativizimit, a në fakt kur kundrohen politikat e BE-së dhe fushtatat e saj për mbrojtjen e tregut evropian, ndaljen e trafikimit të qenieve njerëzore, trafikut të drogës, valëve të emigrimit drejt saj, kufijtë duken se do të bëhen gjithherë e më të sertë e më absolut. Krejt kjo do të arsyetohet në emër të mbrojtjes së BE-së. Si ka mundësi që BE-ja për shqiptarët të veprojë ndryshe? Thënë më fjalë të tjera, kryeligji i të qenurit bashkim shtetesh evropiane është mbrojtja e vendeve anëtare, veçmas atyre më të fuqishme të BE-së, apo jo?

Zëra brenda qeverisë gjermane flasin për një rezervë gjithnjë në rritje të Gjermanisë për zgjerim të mëtutjeshëm të BE-së. Madje, gjithnjë sipas këtyre zërave gjermanët në lidhje me Ballkanin thonë se "më mirë t'u thuhet e vërteta sesa të mbështeten iluzionet e politikanëve të Ballkanit, të cilët krijojnë pritje joreale te popullata". Burime brenda Bruskelit nuk vonojnë të bëjnë të ditur se ‘në Ballkan liderët mendojnë vetëm në hapa që mund t'u ndihmojnë në fushatat parazgjedhore e jo në realitet dhe interes të vendit'. Nuk ka sesi të mos lind pyetja: përse nuk ekziston kurrfarë fryme evroskeptike brenda botës shqiptare?

Ta saktësojmë një gjë: kur themi evroskepticizëm nuk mendojmë në antievropeizëm, sepse në thelb, evrodyshimi (po ta thonim më shqip) ka të bëjë me një rishikim të esëllt të sakrificave që mund të ketë vendi pas hyrjes në BE. Ky farë evrooptimizmi që ka kaluar kufijtë e shfrenimit, po e mpin aftësinë e dallimit të së mirës dhe dhe mungesës së saj, që do të kishte hyrja brenda familjes evropiane. Evrodyshimi që nevojitet është evrodyshim i përkorë. Ka plot që druajnë ta shfaqin shkoqur mendimin evrodyshues nga një frikë irreale se mos e baftë Zoti e quajnë kundërevropian. Kjo patjetër se të kujton një anekdotë në epiqendër të së cilës është ‘Nastradini' i folklorit gjerman, Til Ulenshpigeli. Ky personazh anekdotik gjerman kishte marrë përsipër që t'ia rregullonte një konti të pasur kështjellën me piktura e murale. Këtë punë ai duhej ta mbaronte brenda katër muajve, ama me kushtin që brenda këtyre muajve asnjë njeri tjetër të mos hynte në kështjellë. Kështu ky fatlum qëndroi katër muaj rrumbullak duke ngrënë e pirë si mos më mirë pa bërë asgjë. Si përfundoi afati, ai i ftoi kontin e konteshat. Që të mos i dilte rrena në shesh, ai iu drejtua kontit e konteshave: ‘Ata që prej jush janë budallenj nuk mund t'i shohin pikturat që i kam bërë me aq përkushtim!'. Dhe kështu, krejt i përgëzonin e i lëvdonin pikturat, ndonëse ato nuk ishin, nga frika që të mos quheshin budallenj.

I duhet dhënë fund njëherë e mirë besimit sa të tepruar aq edhe dogmatik, se hyrja në BE është një rrugë me lule. Nënshkrimet plot pompozitet të marrëshjeve MSA, premtimet për shpejtim të pranimit për një vend, buja që i shoqëron ato, elozhetë e pafundme sesi BE-ja po plotësohet, është vetëm njëra anë e monedhës. Anë tjetër e monedhës, madje anë e errët e saj, është politika selektive, që disa i ledhaton jashtë mase, e të tjerët paguajnë çmimin e këtyre ledhatimeve. Kjo këmëngulje mushke e BE-së për të mos pranuar Turqinë brenda BE-së i gjen njëqindmijë arsyetime, disa me vend disa pavend. Dëgjojmë me të drejtë t'i tërhiqet vërejtja Turqisë për gjendjen e vajtueshme të të drejtave të njeriut brenda saj. Ndërkaq, në anën tjetër, nënshkrimi i MSA-së për Serbinë nuk shoqërohej me ushtrimin e ndonjë trysnie apo qortimi për gjendjen neonaziste brenda Serbisë (prirjet e saj për ta copëtuar Kosovën, për të mos e lënë rahat Bosnjën e gjorë, për ta ngucur Kroacinë, për t'i shtypur me gjak shqiptarët në Luginë të Preshevës, për t'i keqtrajtuar hungarezët, për rritje fryme antisemite e shumçka tjetër).

Nuk ka sesi të mos jetë përçmues pohimi i disa politikanëve veçmas në Shqipëri se Brukseli do të jetë vendbashkimi i të gjithë shqiptarëve(!). Por, ata po harrojnë diçka, madje shumë të rëndësishme. Të anashkalosh Hungarinë do të thotë të vazhdosh të besosh në pallavra të tilla (se BE-ja do të na bashkojë); ta venerosh atë me kujdes do të thotë të kuptosh falsitetin e një pohimi të tillë (se BE-ja na bashkon!). Për të qenë më të drejtëpërdrejtë: çfarë ndodhi me Hungarinë? Hungaria iu bashkangjit familjes europiane në vitin 2004. Të gjitha vendet ku jetojnë hungarezët (pos Serbisë), kanë hyrë në BE, por hungarezët mbetën të ndarë po aq sa ishin përpara hyrjes (në mos qofshin edhe më të ndarë). Pikërisht në të njejtën kohë, vendi fqinj i Hungarisë, Sllovakia u bë po ashtu pjesë e BE-së. Tri vite më vonë, edhe Rumania bëhet pjesë e BE-së. Afro 10% të popullsisë së Sllovakisë, nëse i përmbahemi numrave zyrtar, është hungareze dhe shtrihet në një zonë kompakte afër kufirit me Hungarinë. Ky 10% do të thotë nja 520.000 hungarezë brenda Sllovakisë. Në anën tjetër, në Rumani, më saktë në regjionin malor të Transilvanisë, jeton një numër i ndjeshëm hungarezësh etnikë, diku afër 1 milion e 400 mijë ose 6.6% e popullsisë së Rumanisë. Deri më tani, nuk kemi dëgjuar ndonjë politikan hungarez të thotë se BE-ja i bashkoi tërë hungarezët. Hungarezët vazhdojnë ende të jetojnë veçmas në Hungari, Rumani e Sllovaki. Ende vazhdojnë të jenë të njejtit kufinj. Kush do na premtonte se një gjë e tillë nuk do të ndodhte edhe me shqiptarët? Politikanë të tillë që pallavrojnë kështu, e shohin integrimin e supozuar për në BE si një mjet për t'i frenuar lëvizjet e shtuara, gjithnjë më të zëshme, për një bashkim të shqiptarëve para se të hyjmë në BE. Sipas avazit të tyre të mirënjohur, hyrjen në BE na e përkthejnë të zbukuruar me rritje ekonomike, mirëqenie e më shumë siguri. Ata mëtojnë që idenë e bashkimit kombëtar ta stërkeqin, ta paraqesin si një rrugë sa të pamundshme aq edhe të rrezikshme, madje edhe e vënë në pikëpyetje. Se e bëjnë një gjë të tillë mund edhe të merret me mend: ata më shumë janë të interesuar për këtë konfiguracionin aktual politik ku shqiptarët janë të ndarë. Sa më shumë që shqiptarët janë të pjesëzuar, aq më i fortë është pushteti i tyre. Sa më të bashkuar të ishin shqiptarët në një njësi politike, ekonomike e juridike, aq më i vogël do të ishte pushteti i tyre politike. E ata nuk duan ta sakrifkojnë pushtetin e tyre fragmentar. Â Â Â

KOMENTE