English

Fund tragjik për një 25-vjeçare, vetëvritet pas grindjes me të fejuarin

Vlorë, 31 maj/ NOA - Fund tragjik ka pësuar një 25-vjeçare në Vlorë, pak pasi përjetoi keq konfliktin me të fejuarin e saj, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Ngjarja ka ndodhur në komunën Kotë të rrethit jugor bregdetar, bënë të ditur sot për agjencinë NOA, burime policore vendase. Viktima, është Irena Runaj, 25 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Mavrovë të komunës Kotë.

E ndjera është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj dhe policia zbardhi se ajo, aktin vetëvrasës e kishte kryer teksa ishte e vetme në banesë, në dhomën e saj të gjumit.

Një plumb në kokë i ka siguruar vdekjen e dhimbshme 25-vjeçares, e cila u gjet nën pellg gjaku nga familjarët të cilët të alarmuar sinjalizuan policinë.

Shërbimet policore të Komisariatit Vlorë, nga hetimet e para thonë se nga ekspertiza e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e trupit të viktimës rezultoi se Irena Runaj ishte vetëqëlluar me armë zjarri, të tipit teke. Plaga e shkaktuar nga arma ishte vdekjeprurëse, pasi ishte marrë në kraharor.

Pas ekspertizës mjeko-ligjore, policia ka marrë në pyetje familjarët, për të mësuar rreth shkaqeve që çuan të ndjerën në vetëvrasje.

"Familjarët dëshmuan se vajza e tyre, dy ditë më parë, kishte debatuar me të fejuarin e saj në telefon, dhe ky i ka mbyllur telefonin, pasi janë zënë me fjalë", - sqaroi policia.

Mësohet se i fejuari i Irena Runajt, jeton në Itali, si emigrant i ligjshëm dhe pritej të vinte në gusht. Por duket se sherri që kanë bërë në telefon, sikundër dëshmojnë familjarët e ka trembur 25-vjeçaren.

"Pasi kishin kaluar dy ditë nga konflifti në telefon, i fejuari nuk e kishte telefonuar më Irenën, sikundër bënte çdo ditë dhe kjo situatë mendohet se është përjetuar keq nga 25-vjeçarja e cila më pas, u gjet e vetëvrarë", detajoi një burim nga grupi hetimor i ngjarjes.

Sipas dëshmive të familjarëve, e ndjera ishte shumë e tronditur dhe e frikësuar se mos i fejuari e kishte lënë, ndaj dhe gjendja në të cilën ndodhej mendohet se e ka çuar në aktin vetëvrasës, të kryer me armën e zjarrit që i ati e mbante me leje gjuetie.

e.l/NOA

KOMENTE