Durrës, 31 maj NOA - Kreu i G99 Erion Veliaj u takua sot me peshkatarë në portin e Durrësit.
"G99 beson se problemet e peshkimit janë të lidhura sot jo vetëm me uljen e akcizës së naftës por mbi të gjitha me krijimin e një vizioni të qendrueshëm se si kjo degë e ekonomisë shqiptare duhet të zhvillohet duke u mbështetur e jo duke u lënë në mëshirë të detit dhe të fatit' u shpreh Veliaj.
"Tashmë ka ardhur koha që të ndërtojmë bashkarisht politikat që do na drejtojnë drejt zhvillimit. Nuk ka pse shqiptarët të votojnë sërish një qeveri që jo vetëm nuk u zgjidh problemet e tyre, por përkundrazi, si në rastin e peshkatarëve, u hap probleme pafund" shtoi më tej kreu i G99.
Gjatë këtij takimi Veliaj shoqërohej nga disa prej kandidatëve për deputetë në Qarkun e Durrësit.
Milva Ekonomi, që kryeson listën e G99 në këtë qark, theksoi se në qeverinë e ardhshme peshkimi do të ketë një vend të rëndësishëm në procesin e zbatimit të politikave për zhvillimin ekonomik.
Një prej kandidatëve kryesorë të G99 në Durrës, Klodjan Kapiti, është gjithashtu përfaqësues direkt i bizneseve të vogla të peshkimit në Durrës.
I pranishëm në këtë takim, ai u bëri thirrje kolegëve të tij që të votojnë G99, pasi kjo është e vetmja forcë politike që ka menduar për problemet e tyre dhe për zgjidhjen e tyre.
k.k/NOA