English

Gjyq fisnor në Kosovë

Nga Shqiptar Oseku

Me përzgjedhjen e gjykatësve për Gjykatën e Lartë, këtë javë mbaroi leksioni i radhës në lëndën e zorshme të shtetndërtimit neokolonial. Kësaj here, qe radha të mësojmë se kriteret vendimtar për përzgjedhje në instancën më të lartë të gjyqësorit tonë nuk janë përshtatshmëria profesionale e etike, po ajo etnike dhe dëgjueshmëria.

Që thua ti, procesi i mundimshëm i përzgjedhjes - që është i vështirë në krejt botën - u zgjat tërkuzë nga nenet e Ahtisarit, që stipulojnë detyrimisht pazar etnik për gjykatë. Në anën tjetër, si kompenzim, këto nene u mundësojnë krerëve të politikës kosovare që t'i favorizojnë komisarët e vet si kandidatë. Procesi i ndërlikuar u mbyll vetëm kur u u fiksua drejtpeshimi me pakicë të komisarëve shqiptare në Gjykatën e Lartë: Mirëserdhe në Kosovë, anno Domini 2009!

Në demokracitë tjera të reja të Evropës, përzgjedhja e gjykatësve në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese bëhet me ca kritere tjera. Kriteri i parë është, natyrisht,  përshtatshmëria profesionale, e cila gjykohet në terme pozitive: cili kandidat ka shkëlqyer në fakultet, në ushtrimin e zejes, e në zgjidhjen e çështjeve të ngatërruara juridike. Kriteri i dytë është ai etik, i cili gjykohet në terme negative: cilin kandidat do përjashtuar shkaku i ekceseve që ia vënë në dyshim a) forcën e karakterit ose b) aftësinë e gjykimit.

Natyrisht, vendet që Â përzgjedhin asisoj nuk kanë kanë shoqëri etnocentrike, e mbikëqyrje neokoloniale si ne. Te ne, kriteri profesional u konsiderua i përmbushur kur kandidati diti ta përmbledhë diqysh një kërkesë për punë; nëse kjo kishte drejtshkrim për ta ngelur nxënësin e fillores, për këtë s'çau kush kokën. Kurse kriteri etik - p.sh. ai detaji minor, se mos ka shpier gjë kandidati njerëz të pafajshëm para skuadrës së pushkatimit gjatë komunizmit - u quajt "matanë suazave të kualifikimit". Gjyko ti vetë tash sa të serta që paskan qenë, pra, kërkesat!

Në anën tjetër, nëse këto kritere s'ishin me rëndësi, kishte tjera që desh e ngecën tërë procesin. I pari kriter, i fiksuar në pakon Ahtisari, ishte ai etnik. Shoqëria e Kosovës, ka menduar Ahtisari, ka vuajtur shumë nga ndasitë etnike; prandaj, për t'i zhdukur ato, mole t'i fortifikojmë me ligj e kushtetutë! Si pasojë, tërë mendjet e ndritura të Kosovës u desh të angazhohen me muaj të tërë në një pazar të ndërlikuar etnik, për të fiksuar një balans etnik me katër gjykatës shqiptarë e pesë joshqiptarë. Me fjalë tjera, është etnifikuar tërë procesi i përzgjedhjes: "për t'i kapërcyer", si thuhet aq bukur e me shije, "ndasitë etnike të të kaluarës"!

Kriteri i dytë kyç, s'do mend, ishte pëlqyeshmëria e kandidatëve nga partitë politike. Gjë që, deri-diku, ekziston edhe Perëndim. Veçse për dallim prej Perëndimit, "paritë dhe liderët politikë kosovarë kanë lidhje të fuqishme me mafien dhe krimin e organizuar": citati i shkëputur nga një raport konfidencial i një shërbimi të huaj të inteligjencës. Rezultati lë të kuptohet vetvetiu. Në kushtet tona, Al Kapone do të kish patur shans real të bëjë karrierë në Gjykatën e Lartë.

 Lëmshi rreth Gjykatës së Lartë dëshmon sërish, se në ç'pozita kolonialiste ka ngelur tërë diskursi ndërkombëtar rreth Kosovës. Ai e ilustron -sërish!- konfliktin e dhunshëm mes kërkesave të modernitetit, e normave fisnore të pakos Ahtisari. Ndërsa EULEX-i dhe kumbarët e tij ndërkombëtarë e kanë gojën plot "vlera evropiane", instanca më e lartë e gjyqësorit kosovar ndërtohet si të ishte gjyq fisnor në kohën e rajasë britanike në Indi.

Më bën zemra tak ta marr vesh, athua si e pajton Hashim Thaçi këtë tribalizim të gjyqësorit me synimin e vet publik për gjoja "integrim në BE". Athua si i thotë mendja vallë, që këto gjëra shkokan tok së bashku?

Jam kureshtar, pse shumë tjerë e kanë vënë re atë që s'po e sheh Thaçi: që këtu ka diçka të kalbur. E ka vënë re p.sh. Komisioni Evropian, që në raportin e mbramë të progresit nga muaji mars i kritikon institucionet e Kosovës për dobësitë në gjyqësor, e mes rreshtash veçmas qeverinë (lexo: Thaçin) për ngecjet në ndërtimin e Gjykatës së Lartë. E ka vënë re vetë mandatarja e Thaçit znj. Nekibe Kelmendi, që mundohet ta luajë sa më dinjitetshëm ministren e drejtësisë: ajo u qa haptë pas botimit të raportit, se vonesat "rrjedhin nga dispozitat e pakos Ahtisari". Kjo s'e pati penguar znj Kelmendi që të votonte pro pakos në krye të herës; por disave u vijnë mentë veç kur t'u ikin dhentë.

Ne në VETËVENDOSJE! kemi kërkuar prej fillimit ta stopojmë pakon Ahtisari, pikërisht pse ndërton një shoqëri etnocentrike e komunitare që vlon nga probleme të këtilla. Ne mendojmë që Kosovës, me trashëgiminë e gjatë e të dhembshme të ndasive etnike që ka, nuk i shërbejmë më së miri me fortifikim ligjor, kushtetutor, e institucional të atyre ndasive. Por përkundrazi, me kthim te koncepti tradicional i qytetarit shtetas. E me ndihmën e demokracisë liberale, që u ofron të drejta e obligime të njëjta të gjithë qytetarëve, pa dallim prej etnisë, fesë, e/a gjinisë.

 Detyra kryesore e një politikani në demokraci është të zgjedhë nëse do të minimojë pasojat, apo eliminojë shkakun, e problemeve. Në Kosovë, pakoja dhe koncepti komunitar mbi të cilit mbështetet ajo është bërë, pas largimit të Serbisë nga këtu, shkaku nr 1 i të gjitha problemeve politike. Është koha që ajo të rishikohet, nëse zt. Thaçi e ka përnjëmend një ëndërr. Ndryshe, druaj që do të na përsëriten plot leksione tjera si ky i mendermethanë Gjykatës së Lartë.

KOMENTE