Tiranë, 31 maj/ NOA - Posta Shqiptare ka informoi sot përmes një konference të posaçme për shtyp se në të gjithë Shqipërinë janë shitur deri tani1 milionë e 100 mijë kuponë në të 551 zyrat postare të cilat mbulojnë të 470 njësitë e aplikimeve.
Sakaq, është drejt përfundimit procesi i rimbursimit të pensionisteve ne zbatim te VKM 366, dt.15.04.2009.
Posta Shqiptare bën kompensimin e pensionistëve, ndërsa kategoritë e tjera që përfitojnë nga skema e kompensimit paguhen në institucionet përkatëse si: Bashki, Komuna, Rektorate etj.
Në Postën Shqiptare, deri tani ky proces ka përfunduar në masën 98% në filialet e Postës Shqiptare Tiranë, Lezhe, Kukës, Korçë dhe Mat, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë janë rimbursuar mbi 80% e tyre.
Zbatimi i VKM 419, dt.30.04.2009 për shitjen e kuponëve me vlerën 200 leke po ecën gjithashtu me ritme të shpejta.
"Strukturat e Postës Shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në funksion të këtij procesi gjatë gjithë ditëve të javës duke e vlerësuar maksimalisht si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, përfshirë edhe ditët e pushimit dhe të festave duke punuar me orare të zgjatura deri në orët e vona të mbrëmjes derisa t'i shërbehet edhe qytetarit të fundit që ndodhet në zyrën postare", u bë e ditur në konferencën për shtyp.
Drejtuesit e Postës Shqiptare në daljen për mediat kërkuan prej "të gjithë aktorëve politikë" që "të ndihmojnë procesin e pajisjes së shtetasve me kuponë për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik duke i ftuar qytetarët të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimit elektronik".
"Iu bëjmë thirrje qytetarëve se për çdo sqarim të mundshme që mund të kenë të telefonojnë në numrin pa pagesë të tel 08004141 ose në numrin 0(4) 2258828', - përfundon deklarata e drejtuesve të Postës Shqiptare.
e.l/NOA