Vlorë, 31 maj/ NOA - Një automjet është përfshirë krejt papritur nga flakët, në ecje e sipër në Vlorë por nuk u raportuan dëme në njerëz.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Vlorë-Fier, në vendin e quajtur kthesat e Panajasë, bënë të ditur sot për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga policia e Vlorës.
"Ne morëm informacionin se tek kthesa e Panajasë, po digjej një automjet tip fuoristradë me targa të huaja CK 318 MX dhe menjëherë dërguam shërbimet e qarkullimit rrugor", - sqaroi policia.
Në vendngjarje ka mbërritur dhe një automjet i repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit të Vlorës.
"Ne zbardhëm se automjeti me drejtuesin Y. Nazeraj, ishte duke udhëtuar në drejtimin Vlorë-Fier dhe në ecje kishte marrë flakë duke u djegur tërësisht", tha policia, pas shuarjes së zjarrit pa shkaktuar viktima.
Nga hetimet, u sqarua se makina ishte përfshirë nga flakët në mënyrë aksidentale, për shkak të një defekti teknik, ndërkohë që ajo u dogj plotësisht.
e.l/NOA