Tiranë, 31 maj NOA - Takimi i radhës i kryetarit të PLL Ekrem Spahiu ishte në Korçë ku u prezantuan 12 kandidatët e listës shumë-emërore të PLL për këtë qark.
Takimin e hapi kryetari i degës Korçë, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit Kombëtar z. Nebi Ganellari i cili foli për objektivat elektorale të PLL në këtë qark. Në emër të kandidatëve foli Petrit Kutrolli.
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu vlerësoi lart vlerat e secilit kandidat dhe tha se ky është ekipi më i mirë që paraqitet para elektoratit korçar.
Më tej Spahiu tha se pavarësisht atyre që qeveria e maxhorancës së djathtë ka bërë gjatë këtyre viteve, ekzistojnë të gjitha mundësitë, vullneti politik dhe projektet e nevojshme që Korça, ky qytet i traditës, i vlerave patriotike dhe kulturore, i resurseve të shumta dhe njerëzve të mirë, atdhetarë e punëtorë, të fitojë përsëri shkëlqimin e dikurshëm e të thirret "zonjë e rëndë", ashtu siç thuhej për të në kohën e Mbretërisë Shqiptare.
"Ne kemi bindjen, - vijoi Spahiu, se programi i Partisë "Lëvizja e Legalitetit", si një parti konservatore, promovuese e vlerave më të mira të traditës, të shtetit dhe familjes, por edhe si një parti me vizion të qartë bashkëkohor për një Shqipëri të begatë e integruar, për individë të lirë e të fuqishëm, që punojnë në pronat dhe vendin e tyre duke ndërtuar Shqipërinë evropiane, është një program që i përshtatet fare mirë interesave të qytetarëve korçar".
e.l/NOA
Kandidatët e listës shumë-emërore të PLL për qarkun Korçë:
Nebi Kasem Ganellari
Petrit Myrteza Kutrolli
Orjola Sadik Çaçellari
Nexhmedin Shaziman Shkullaku
Lavdërim Zydi Bajraktari
Gjenovefa Agron Nini
Fatos Muhamer Topalli
Dorina Agim Hamolli
Sazan Shefit Meço
Olger Ahmet Larti
Arjan Xhevahir Pashollari
Artan Qerim Agolli
Altin Xhevahir Kapri