I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,
E nderuara kryetare e Kuvendit të Shqipërisë Topalli,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë të dy qeverive e kuvendeve tona,
I nderuari ambasador Walker,
Sot, këtu në Kalimash, sjell për ju, i nderuari Kryeministër Berisha, mesazhet e përgëzimet të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj , të gjithë popullit të Kosovës për këtë kryevepër.
Sot është një ditë madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Sot është  një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet, kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, në borë dhe në acar, e bëmë këtë rrugë, në këmbë, për lirinë e vendit. Që sot, Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohen dhe më tepër. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë.
Pa dyshim, një element qendror i kësaj afërsie shpirtërore, fizike dhe materiale është liria dhe pavarësia e Kosovës, vetë shteti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës i jep kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit, është vetë kuptimi i autostradës. Kjo rrugë është dalja e Kosovës në det.
I nderuari kryeministër, ne kemi qene të ndarë në shekuj, por kurrë nuk kemi qenë larg njeri-tjetrit. Gjithmonë kemi punuar për tu afruar, gjithmonë kemi sakrifikuar për tu afruar dhe ja, erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria në NATO dhe sot ndërtojmë autostrada. Dhe unë e di, siç e dini të gjithë ju se kurrë më, të rinjtë tanë, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës nuk do të ecin më në këmbë, nëpër baltë, fshehurazi dhe me tmerrin e frikës, për të bërë këtë rrugëtim të lirisë dhe zhvillimit të vendeve tona. Na ka ndarë historia, na ka ndarë padrejtësia. Na ndanin bjeshkët, malet e thepisura, dhe muret. Sot të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar me punë, me vullnet, me ideal, me vizion, duke u shndërruar në dhjetëra e dhjetëra ura dhe tunele komunikimi.
Prandaj, i nderuari Kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, Ju përgëzoj në emër të Kosovës, popullit të saj, për këtë punë kolosale, për këtë kryevepër, ju përgëzoj ju personalisht, qeverinë tuaj dhe popullin shqiptar. Përveç dëshirave, ëndrrës për integrim kombëtar dhe euroatlantik, kjo rrugë do të mbartë ide, mallra, rritje ekonomike për të dy vendet tona. Kjo rrugë do ti japë shtytje zhvillimeve të shumanshme të dy vendeve tona.
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha.
Si kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, zotohem se për një kohë shumë të shkurtër, kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vermicë, Prizren, dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Bashkërisht kemi thyer perandori e pushtues, e do të thyejmë edhe male e bjeshkë që na dalin përpara. Kjo është autostrada e shpresës, e besimit, e punës dhe e zhvillimit të shqiptarëve. Kjo është historia jonë. Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, rruga e shekullit te ri. Kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.
Faleminderit, urime dhe suksese ju dhe të gjithë shqiptarëve."
Â