English

AMC publikon ofertën më të re, zero pajtim mujor për abonentët me kontratë

Tiranë, 1 Qershor NOA - Kompania e parë e telefonisë celulare në vend, AMC, ka prezantuar sot ofertën më të re për abonentët me kontratë, zero pajtim mujor.

Është hera e parë që në tregun e telekomunikacionit shqiptar aplikohet plani tarifor mujor zero për abonentët me kontratë.

AMC, si kompania lider në tregun e telefonisë celulare në vend, i propozon tregut shqiptar një paketë krejt të re dhe të pa aplikuar me parë duke e hequr pajtimin mujor.

Kompania, në njoftimin e saj bëri të ditur se ka menduar që të prezantohet në tregun e telefonisë celularë me një paketë të plotë komunikimi.

Kjo ofertë nga AMC nuk është kufizuar vetëm me eliminimin e pajtimit mujor por ka parashikuar edhe uljen e tarifave të komunikimit për abonentët që do të aplikojnë për paketën tarifore Zero Pajtim Mujor.

Abonentët e kësaj kategorie të re përfitojnë tarifa akoma më të ulëta drejt çdo numri brenda vendit. Ata mund të flasin me vetëm 24.11 lekë/min me të gjithë numrat AMC dhe mund të komunikojnë me 37 lekë/min me rrjetet e tjera brenda vendit.

Për të gjithë abonentët që do zgjedhin paketën AMC Zero Pajtim Mujor përfitimet nuk mbarojnë me kaq.

Çdo ditë nga ora 23:00 deri në 06:00, si edhe të shtunën e të dielën gjatë 24 orëve, abonentët e kësaj kategorie mund të flasin me 8 lekë/minutë me të gjithë miqtë, kolegët familjarët apo të dashurit e tyre brenda rrjetit të AMC.

Për më tepër, çdo abonent i planit tarifor AMC Pajtim Mujor Zero mund të formojë një grup me tre abonentë të tjerë Consumer dhe të komunikojë gjithmonë me ta për vetëm 9 lekë/minutë gjatë gjithë ditës.

Kompania tha se ky program i ri i AMC është krijuar për t'i ofruar çdokujt fleksibilitet dhe lehtësi në komunikim.

Kurse theksoi se "AMC, gjithmonë është udhëhequr nga filozofia e saj për t'i ofruar abonentëve të saj më të mirën dhe për të qenë përherë e para në prezantimin e ofertave dhe shërbimeve në tregun e telefonisë celulare".

e.l/NOA

KOMENTE