English

I dehur bën xhiro në bulevardin e këmbësorëve, përplaset me policinë

Durrës, 1 qershor NOA - Pasi ka rrëkëllyer ndonjë gotë pije alkoolike, një djalë i ri durrsak, ka dashur të çajë me makinë bulevardin kryesor të qytetit, pikërisht në kohën kur ai është i hapur vetëm për këmbësorët.

Por policia nuk e ka bërë të gjatë dhe e ka ndalur. Kjo nuk i ka pëlqyer 26-vjeçarit i cili është përplasur me forcat policore duke mos reshtur fyerjet ndaj tyre derisa pak minuta më vonë ka përfunduar i shoqëruar në drejtorinë rajonale të policisë së Durrësit.

Burime zyrtare nga policia durrsake, i thanë sot agjencisë së lajmeve NOA, se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21.30 në lagjen Nr 1 në Durrës.

Thoma Feshti, 26 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr 5 Durrës, duke drejtuar automjetin tip Fuoristradë me targë TR 3613 R, në hyrje të Bulevardit kryesor, nuk i është bindur patrullës së Policisë Rrugore për t'u kthyer mbrapa dhe për të mos u futur në bulevard, pasi qarkullimi në këtë zonë deri në orën 23.00 është i ndaluar.

Gjatë manovrimit për të kthyer mjetin, i riu ka fyer punonjësin e policisë së qarkullimit rrugor.

Policia tha se nga testi i alkoolit rezultoi se 26-vjeçari Feshti ka qenë në gjendje të pirë. Tani, ai përballet me akuzat për "Kundërshtim të Punonjësit të Policisë" dhe "Fyerje për shkak të detyrës", ndërsa do të hetohet për këto vepra penale, në gjendje të lirë.

v.m/NOA

KOMENTE