English

Kryetari i LSI, Meta, fton në debat Edi Ramën dhe Sali Berishën

Tiranë, 1 qershor NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, ftoi sot publikisht kryetarin e PS Edi Rama dhe kryeministrin Sali Berisha për një debat, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme.

Këtë ftesë, Meta e bëri në një konferencë të posaçme për shtyp sot, ku foli mbi procesin zgjedhor.

"Si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, jam i hapur përpara të gjithë mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumente si me Kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin në largim z.Berisha, ashtu dhe me kandidatin për Kryeministër nga Partia Socialiste z.Rama, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme", - deklaroi z.Meta.

Më te ai ka folur për faktin se në disa komuna ka patur probleme me procesin e kartave të identitetit. Ai i është përgjigjur pyetjes se "a mund të jetë kjo një arsye e mundshme, që mund të shtyjë zgjedhjet e 28 Qershorit?".

Meta vlerësoi se duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme me 28 Qershor, duke theksuar se "çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve jo vetëm që do të ishte një diskretitim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar, por mos të harrojmë që kriza ekonomike sa vjen dhe shtohet për shkak të vendimeve të papërgjegjshme të Kryeministrit Berisha dhe do të kishim një krizë vërtetë komplekse, e cila nuk do të ishte larg asaj të vitit 97". Këtu ai apeloi se çdo gjë duhet bërë brenda këtyre tre javëve.

e.l/NOA

KOMENTE