Selanik, 1 qershor NOA - Një grua po lufton me vdekjen në spitalin shtetëror të Selanikut pasi u masakrua me thikë, kurse bashkëshorti i saj, i dyshuar i vetëm i krimit, është arrestuar nga policia.
Ngjarja ndodhi në lokalitetin "Kolhiko" në Selanik, kur një 39-vjeçar shqiptar, emigrant i rregullt në Greqi, sulmoi të shoqen, pesë vjet më të vogël, brenda në banesë, me një thikë duke e qëlluar katër herë.
"E dëmtuara 34-vjeçare, mori plagë në gjoks, qafë dhe sup, gjatë një grindjeje që mori përmasa të forta kur i dyshuari rrëmbeu një thikë nga kuzhina dhe me të masakroi të shoqen", - deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA, një burim zyrtar në policinë e Selanikut.
Detaje në lidhje me shkaqet që çuan në konflikt nuk u dhanë, por policia tha se pas arrestimit të të dyshuarit, po i heton rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, mjekët në spitalin "Papanikolau" të Selanikut, thanë se gjendja e 34-vjeçares edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, mbetet kritike për shkak të plagëve serioze që ka marrë në trup.
n.s/NOA