Prishtinë, 1 qershor NOA - Një 37-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri pranë banesës së një burri rreth 40 vjeçar i cili u arrestua si i dyshuar i krimit.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prizren, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në rrugën "Skënderbeu" në Suharekë ku është vrarë 37-vjeçari M. Gashi.
Sipas hetimeve të para viktima ka shkuar te shtëpia e të dyshuarit S. Kuçi për të kërkuar një hua, që dyshohet të ketë qenë borxh me fajde.
Një patrullë policore e cila ndodhej në një pikë kontrolli afër 60 metra nga vendi i ngjarjes, me të dëgjuar të shtënat ka shkuar në vendngjarje dhe ka arrestuar të dyshuarin si dhe ka sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Prokurori ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Policia tha se ka ushtruar kontroll në shtëpitë e viktimës dhe të të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme që mund të lidhet me rastin.
a.b/NOA