English

Avioni i Air France, mendohet të jetë zhytur në Oqeanin Atlantik

Rio de Zhaneiro, 2 qershor, NOA Update - Aeroplani i pasagjerëve me 228 persona në bordin e tij, i firmës ajrore "Air France", mendohet të jetë zhytur në Oqeanin Atlantik në një mot të keq, gjatë një udhëtimi 11 orësh nga Rio de Zhaneiro i Brazilit në Paris.

Sipas autoriteteve, avioni që mbante numrin e fluturimit 447, ishte nisur drejt Parisit dhe u zhduk sot në mëngjes nga radari, rreth 4 orë pasi ishte nisur nga aeropoti i Rio De Zhaneiros.

Airbus më pas kaloi në një zonë me mot tropikal pranë ekuatorit ku shpesh ka turbullira dhe stuhi të fuqishme me vetëtima. Pothuajse në atë kohë, avioni transmetoi një mesazh automatik për një qark të shkurtër elektrik.

Një zëdhënës i Air France tha se një kombinim rrethanash përfshirë vetëtima, mund ta kenë rrëzuar avionin. Megjithatë ekspertët e aviacionit thonë se kjo nuk mund të ketë qenë arsyeja e vetme për rrëziomin katastrofik në oqean.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozi shkoi dje në aeroportin Sharl De Gol në Paris për të qëndruar pranë familjarëvë të pasagjerëve. Ai tha se mundësitë për gjetjen e personave gjallë janë shumë të vogla.

n.e/NOA

KOMENTE