English

Berisha, mesazh Ramës nga Elbasani: Të jap kohë të kandidosh

Elbasan, 3 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi mbrëmjen e së martës një takim me qytetarë të Elbasanit, në çelje të fushatës elektorale në këtë qark.

Berisha premtoi se në katër vitet që vijnë qeveria e tij, nëse do të ketë një mandat të dytë, do të investojë katër herë më shumë në qytetin e Elbasanit

Pasi ka renditur një sërë arritjesh sikundër theksoi, në mandatin e parë si kryeministër, Berisha foli dhe për një numër premtimesh që lidheshin me përmirësimin e jetës së qytetarëve gjatë katër viteve që vijnë.

Më tej, Berisha ka atakuar kreun e partisë Socialiste, Edi Rama duke iu drejtuar direkt atij: Nga sheshi Elbasanit, në emër të popullit të Elbasanit, do t'i kërkoj zotit Rama, i cili u deklaronte mbrëmë durrsakëve se nuk mund të hynte në Parlament pasi nuk mund të tradhtonte qytetarët. Por, t'ju pyes ju, a është tradhti ndaj jush në se ju votoni drejtuesin tuaj për në parlament? Çfarë tradhtie përbën kjo? Së dyti, zoti Rama, destinacioni dhe standardi i këtyre qytetarëve, pavarësisht nga hallet që kanë, është vetëm një; Evropa dhe vetëm Evropa. Na thuaj ti zoti Rama, se cili lider partie në historinë e Evropës demokratike e ka nisur forcën e vet politike drejt zgjedhjeve dhe nuk është vendosur në krye të listës? Zoti Rama, cili lider e ka bërë këtë veprim? Ti kujton se shqiptarët nuk i dinë këto? Ti nuk e bën dot këtë, ndonëse unë, në emër të respektit që kam për socialistët dhe për vendin tim, të jap ty ende kohë ta vendosësh emrin në krye të listës, por ti se bën dot këtë sepse për ty standardi evropian janë lejet e bashkisë dhe lejet e ndërtimit. Ti nuk e bën dot këtë, sepse ti zoti Rama nuk do zgjedhje, do karrige dhe leje ndërtimi. Kjo është e vërteta, thuaja shqiptarëve sepse me ty dhe pa ty, zgjedhjet do të jenë madhështia e demokracisë shqiptare", - ishte thirrja e gjatë që Berisha i drejtoi kreut të PS.

a.k/NOA

KOMENTE