English

Berisha, vizitë surprizë te "Tregu çam": Edi Ramës do ia vëmë kufirin te thana

Tiranë, 2 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha i ka çuditur tregtarët dhe klientët në tregun çam në kryeqytet, kur ka hyrë atje më këmbë, në një vizitë krejt të papritur që mësohet se nuk ishte raportuar as në axhendën e tij.

Shefi i qeverisë dhe Partisë Demokratike, ka nisur vizitën e papritur pas mesditës së sotme dhe po e vazhdon atë momentalisht, informon gazetarja e agjencisë së lajmeve NOA.

Berisha, duke ecur më këmbë në rrugicat është takuar thuajse me të gjithë tregtarët, duke hyrë dyqan më dyqan.

Ndërkohë, disa qindra njerëz janë mbledhur teksa kanë parë që kryeministri ka hyrë në tregun çam.

Kryeministri ka folur me tregtarët të cilët i kanë treguar gjerësisht problemet me të cilat përballen.

Pjesa më e madhe e tregtarëve që i përkasin biznesit të vogël dhe të mesëm, u ankuan për rritje masive taksash nga Bashkia e Tiranës.

"Unë ju siguroj se në mandatin e dytë, kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t'ia vëmë kufirin te thana dhe nuk do të lejojmë që të dëmtohet biznesi".

Këtu Berisha theksoi se biznesi i vogël dhe ai i mesëm janë shumë të rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve, ndaj shtoi se nuk do të lejojë që ato të rrezikohen duke sjellë pasoja sociale në vend.

Në vizitën te tregu çam, Berisha po shoqërohet nga Gert Bogdani, kryetar i FRPD dhe njëkohësisht, kryetar i minibashkisë nr 10 e cila përfshin edhe tregun çam.

e.l/NOA

KOMENTE