Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se bashkësia serbe është e gatshme të ndihmojë procesin e decentralizimit, por jo mbi bazën e planit gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit. Ai pohon se serbët e Kosovës, sipas planit aktual për decentralizim, nuk kanë marrë numër të mjaftueshëm të komunave dhe ka shtuar se ata duan që të kenë një autonomi të plotë në të gjitha komunat e parapara për t'u krijuar, ku ata përbëjnë shumicën. Sipas tij do të duhej të krijoheshin kushtet për një dialog të ri mes Prishtinës e Beogradit, përfshirë edhe bisedimet për çështjen e statusit, ende nuk është zgjidhur, por siç tha, pa Martti Ahtisaarin dhe pa ndërmjetësues që propagandojnë pavarësinë e Kosovës.
Z.Bogdanoviç, a mund të na jepni qëndrimin tuaj rreth procesit të decentralizimit në Kosovë?
- Sa i përket decentralizimit, të gjithëve u është bërë e njohur se bashkësia serbe insiston në zbatimin e këtij procesi në hapësirat e Kosovës dhe Metohisë, dhe se këtë process e patëm nisur që në vitin 2002, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.
Në parim nuk kemi asgjë kundër decentralizimit, por kemi një problem të madh se këtë proces të decentralizimit që duan ta zbatojnë Institucionet e Përkohshme në Kosovë dhe Metohi, po zhvillohet sipas planit të Maarti Ahtisaarit. Siç mund ta dini ky plan i Martti Ahtisaarit është kundërshtuar edhe në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe për të asnjëherë nuk është diskutuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne jemi të gatshëm për procesin e decentralizimit, bashkësia serbe është e gatshme të marrë pjesë në këtë proces, por jo sipas planit të Martti Ahtisaarit. Procesi i decentralizimit që duhet të zbatohet, fillimisht duhet të diskutohet me bashkësinë serbe, sepse serbët, aty ku planifikohet formimi i komunave të reja, duhet të japin pëlqimin e tyre.
E dyta, ka vendbanime siç është Babin Mosti, Plemetini, Prilluzhja, Gracë, ku jetojnë më shumë se 5 mijë serbë, nuk janë të përfshira me planin e Martti Ahtisaarit kurse ka vende ku jetojnë 1000 ose 1500 syresh e janë të përfshira. Prandaj ne duam që serbët të marrin komunat me shumicë aty ku janë ata shumicë dhe që këto komuna në Kosovë të jenë shumëkombëshe. Kjo sepse është e pamundur që cilado komunë vetëqeverisëse, që krijohet ose planifikohet të krijohet në hapësirat e Kosovës mund të jetë njëkombëshe. Kjo është diçka e pamundur. E angazhohemi për një Kosovë shumëkombëshe dhe për këtë arsye duam të vendosim këtë dialog dhe të diskutojmë për tërë këto gjëra. Por, një zgjidhje e imponuar kundër vullnetit të Beogradit zyrtar, kundër vullnetit të bashkësisë serbe askujt nuk i sjell dobi dhe ky process nuk mund të jetë i sukesshëm ashtu siç duan të gjithë qytetarët e Kosovës.
Por cilat janë kërkesat konkrete tuajat përveç heqjes së planit Ahtisaari?
- Kërkesat konkrete janë se serbët nuk kanë marrë atë numër të komunave të cilat mendojnë se duhet t'i kenë. E përmenda pak më parë se kjo ka të bëjë me Kosovën Qendrore, pra Babin Mosit, Plemetini, Gracë, Prriluzhë, ku jetojnë mbi 5 mijë serbë e të cilët nuk kanë marrë vetëqeverisjen lokale.
E dyta, mënyra se si planifikohet që Mitrovica veriore të marrë vetëqeverisjen lokale për serbët është e papranueshme. Ne duam që në kuptimin e plotë të fjalës të kemi autonomi, që nesër këto vetëqeverisje lokale të mund të vendosin vërtetë për përparimin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Metohisë, si serbëve ashtu edhe shqiptarëve.
Prandaj, duam që sërish të ulemi dhe që ndërmjetës në këtë çështje të jetë dikush tjetër e jo të punohet sipas planit të Martti Ahtisaarit, që për ne është plotësisht i papranueshëm. Siç e dini, ky plan i Ahtisaarit, parasheh dhe rekomandon pavarësinë e Kosovës që për Serbinë dhe për serbët në Kosovë e Metohi është plotësisht e papranueshme.
Por me kë do të ishin të lidhura këto komuna të reja me shumicë serbe. Me Prishtinën apo Beogradin?
- Kjo është çështje e marrëveshjes. Ne nuk mund të kemi iluzione se këto komuna që po krijohen në Kosovë nuk kanë asnjë kontakt me Prishtinën. Këto kontakte duhet të jenë pjesë e marrëveshjes, sepse një zgjidhje e imponuar dhe ashtu si duan ta paraqesin sot ose si duan ta zbatojnë më besoni ase askujt nuk do t'i sjellë dobi. Posaçërisht jo këtyre komunave të reja, sepse në një mënyrë serbët e ndjenjë se është një lloj kushtëzimi.
Dhe çka do të thotë autonomi e zgjeruar për serbët në Kosovë?
- Autonomi e zgjeruar nënkupton që serbët të mund të mbledhin të hyrat e tyre, që të merren me problemet themelore jetësore, që të kenë policinë lokale, që të kenë këtë zinxhir komandues në polici që është i pranueshëm për serbët dhe jo të vijmë në situatë që të imponohen zgjidhjet. Që nesër njësitë e policisë speciale që duan të intervenojnë në hapësirat e vetëqeverisjes lokale pa pajtimin e kësaj vetëqeverisjeje lokale të bëjnë arrestime ose diçka tjetër. Prandaj, them se kjo është pjesë e marrëveshjes dhe duhet të ulemi e të bisedojmë, sepse është e pamundshme që në Kosovë të zbatohet pa marrëveshje. Marrëveshja është diçka për të cilën Serbia dhe serbët në Kosovë janë të gatshëm por natyrisht pa Martti Ahtisaarin dhe pa ndonjë ndërmjetës që propagandojnë pavarësinë e Kosovës.
Do të doja të ishim të qartë. Mendoni se duhet të bisedohet me institucionet e Kosovës?
- Natyrisht se duhet të bisedohet me Institucionet e Kosovës, por jo të Kosovës së pavarur dhe duhet të bisedohet me bashkësinë ndërkombëtare. Është qëndrim i Serbisë, se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur dhe prapë duhet të ulemi dhe të zgjidhim statusin dhe ato çështje e probleme jo vetëm decentralizimin por të gjitha ato çështje që i preokupojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm serbët ose vetëm shqiptarët.
Pra kjo do të thotë, se institucionet e tashme të Kosovës nuk mund të ndërlidhen në dialog…
- Këto institucione të Kosovës nuk mund të flasin nga pozicioni i një Kosove të pavarur. Kjo është e papranueshme për Serbinë. Ne mund të bisedojmë dhe duhet ta bëjmë këtë.
Unë jam idhtar i madh i dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve, sepse mendoj se vetëm me bisedime mund të zgjidhim problemet dhe jo të barrikadohemi në qëndrimet tona. Kjo qeveri e Republikës së Serbisë vërtetë do që të ketë paqe në Kosovë, dëshiron vërtetë procesin e kthimit në Kosovë, që të gjithë të jenë të mbrojtur me ligj dhe të ketë liri të lëvizjes për të gjithë.
Por a mund të presim që ju të vendosni për decentralizimin duke marrë njëkohësisht një vendim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës?
- Ne ende nuk kemi menduar për këtë, dhe as që kemi biseduar. Në këto kushte dhe në këto rrethana kur për fat të keq sërbët ende nuk janë të mbrojtur me ligj, kur nuk kanë siguri ligjore dhe nuk kanë liri të lëvizjes, është iluzore të pritet që serbët të vendosin të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Po e përsëris se serbët nuk do të kenë asnjë lloj presioni nga ana e Beogradit, por të gjithë ne që jetojmë atje, në Kosovë e dimë mirë se çka duhet bërë.
BBC