Tiranë, 2 qershor NOA - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama priti sot në një takim pune Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë Vincenzo Carbone.
Ai ishte i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i këtij Institucioni Secondo Carmenini dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm Francesco Tirelli.
Delegacioni i Gjykatës së Kasacionit të Italisë u shoqërua gjatë takimit edhe nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj.
Mes Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit të Italisë Vincenzo Carbone u shkëmbyen informacione rreth mënyrës së organizimit dhe funksionimit të dy institucioneve respektove, organit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Kasacionit të Italisë.
Gjithashtu në takim u diskutua për rëndësinë e njohjes praktikës dhe jurisprudencës të Gjykatës Kasacionit të Italisë, veçanërisht për çështje në të cilat janë përfshirë shtetas shqiptarë.
Zyra për shtyp e PP tha se në takim u vlerësua e rëndësishme njohja e kësaj jurisprudence me qëllim ngritjen e standardit të procesit penal në Republikën e Shqipërisë dhe përqasja me standardet evropiane dhe ato të vendosura nga jurisprudenca e Strasburgut
Mes dy palëve u fol gjithashtu për inicimin e një projekti që do të mundësonte njohjen e jurisprudencës së kësaj gjykate, në kohë reale dhe të përkthyera në gjuhën shqipe.
e.l/NOA