English

Ivanov, pas gafës diplomatike me Sejdiun, viziton tranzit Shqipërinë

Presidenti Topi pret homologun maqedonas, i jep një "dush të ftohtë" për Kosovën

Tiranë, 2 qershor NOA - Presidenti i Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), Gjorgje Ivanov mbërriti sot në Shqipëri në një vizitë e cila nga protokolli qeveritar shqiptar u sqarua se ishte jozyrtare, tranzite.

Ndërkohë konfirmohet se sot, presidenti shqiptar Topi priti në Durrës në një takim pune homologun maqedonas, Ivanov.

"Ky takim pune u zhvillua me kërkesë të Presidentit Ivanov", - konfirmoi Presidenca shqiptare.

Ajo sqaroi se "Ivanov, po kalon tranzit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore "Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për Qëllime Turistike", që do të zhvillohet nesër në Cetinjë të Malit të Zi".

Sipas Presidencës shqiptare, dy personalitetet vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik. Presidenti Topi ka nënvizuar klimën e mirë të bashkëpunimit politik e ekonomik si dhe situatën e re gjeopolitike në rajon, e cila është përmirësuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe futjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë.

Topi po ashtu, nënvizoi faktin se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik.

Këtu, ai apeloi se mbështetja e vendeve fqinjë duhet të marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik, në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë.

Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale duke qenë se kjo do t'i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe familjen e madhe evropiane.

Presidenca shqiptare, nuk citoi asnjë deklaratë të Ivanov. Po ashtu edhe agjencia shtetërore e lajmeve MIA nuk lëshoi asnjë deklaratë mbi takimin.

Ivanov do të kujtohet si presidenti i sapoardhur në detyrë që kreu seri gafash diplomatike me Kosovën.

Raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë, kanë nisur të ftohen që kur Shkupi nuk e ftoi presidentin Sejdiu në inaugurimin e homologut të tij, Gjorgje Ivanov. Shkak ishte pjesëmarrja e presidentit serb, Boris Tadiç.

Pas kësaj, presidenti Sejdiu u ftua të jetë burrështetasi i parë që takon Ivanovin që nga inaugurimi i tij.

Por, Shkupi ndryshoi karakterin e vizitës në moment të fundit, gjë që shkaktoi anulimin e saj nga ana e Prishtinës.

e.l/NOA

KOMENTE