English

Lojtarët e përzënë nga Han: Kemi besim te Kuzhe

Tiranë, 2 qershor, NOA - "Shpresojmë që Kuzhe të jetë i suksesshëm me përfaqësuesen tonë të kombëtares". Ky ka qenë prononcimi që kanë dhënë thuajse të gjithë lojtarët e ekipit tonë kombëtar, të pyetur së fundmi nga media, lidhur me ndeshjen që i pret me Portugalinë dhe drejtimin e tyre tashmë nga lideri i ri kroat, Josip Kluzhe.

Nga ana e tij, sulmuesi i Kombëtares, Edmond Kapllani, ka pohuar se kërkon që të rikthehet me gol kundër Portugalisë.

"Jam i kënaqur me rikthimin në kombëtare pas një kohe të gjatë, dhe po ashtu për ekipin tim të ri, jo shumë të madh, por me ambicie për të qenë midis tri më të mirave të Bundesligës 2", mësohet të ketë thënë sulmuesi i përjashtuar nga holandezi Ari Han dhe i rithirrur nga kroati Josip Kuzhe.

Ndërsa Ansi Agolli, kampioni i freskët me Tiranën e një nga pikat e forta të Kombëtares, pranoi faktin se pavarësisht presionit të madh psikologjik nga një emër i madh si Portugalia, Shqipëria e ka forcën e duhur për të bërë surprizën e radhës, ashtu si tetë muaj më parë në Braga.

Kurse Klodian Duro, një nga mesfushorët më përvojë të Kombëtares dhe kapiteni i Shqipërisë, në ndeshjen miqësore me Milanin, pranoi se ndihet shumë mirë me trajnerin e ri të Kombëtares, kroatin Josip Kuzhe.

"Nga ajo që po shoh vetë por edhe nga ato që kam dëgjuar nga shokët që kanë qenë në ekipet e drejtuara nga Kuzhe mendoj se ai është një trajner i duhur për kombëtaren. Kam krijuar një opinion shumë pozitiv për Kuzhen dhe duket që ai është një trajner me shumë eksperiencë dhe që do të sjellë një ndryshim në kombëtare. Ai na ka sjellë një motivim të madh dhe grupi kundër Portugalisë po formohet shumë i fortë dhe do të ketë një fytyrë tjetër në fushën e lojës. Mendoj se nëse do ta kemi frymën e grupit do të arrijmë një rezultat pozitiv", - ka pohuar Duro lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE