English

LSI, në Fier: Ne, të përkushtuar për të zgjidhur çështjen çame

Fier, 2 qershor NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë kurdoherë në mbrojtje të çështjes çame dhe do të punojë forcërisht për ta vënë atë në rrugën e zgjidhjes.

Ky fakt është pohuar gjatë takimit të zhvilluar në lagjen "1 Maji" Kodër nga LSI dhe kandidatët e saj për zgjedhjet e qershorit.

Kjo zonë është e banuar në pjesën mbizotëruese nga komuniteti çam dhe gjatë takimit është konfirmuar se ai do të ndihet kurdoherë sa i përkrahur dhe i mbështetur nga politikat e kësaj force.

Në këtë takim nënkryetari i LSI-së së Fierit Shkëlqim Murati i ardhur nga radhët e këtij komuniteti ka theksuar faktin se për 18 vjet me radhë kjo çështje ka mbetur ende pa u vënë në rrugën e zgjidhjes ndërkohë që gjenocidi çam mbetet ende një plagë e hapur dhe që kujtohet plot dhimbje.

Duke folur për mbështetjen e madhe që çështja 5ame gjen tek politika e LSI, nënkryetari Murati ka theksuar se tashmë ka ardhur koha që përmes një ndërgjegjësimi të lartë, ky komuniteti nuk duhet të votojë ata që i kanë mashtruar.

"Pse nuk duhet të votojmë më për Sali Berishën. Dikur Berisha na ka thënë që ai e ka patur amanet çështjen çame nga babai. Dhe ai njeri që nuk mban amanetin e të atit nuk duhet votuar".

Nga ana e tij kreu i shtabit të LSI-së së Fierit Bardhi Meli ka theksuar faktin se LSI në mënyrë të vazhdueshme kanë ditur të mbrojnë dhe të ngrenë zërin për këtë çështje.

Meli ka kujtuar faktin se edhe në mes të Athinës, Meta e ka ngritur zërin për këtë çështje dhe vazhdon ta ngrejë atë ndërkohë që ende dhe sot e kësaj dite Berisha nuk ka kurajën të thotë që çamëve ju takon që të jetojnë në tokat e tyre në Çamëri.

Duke iu referuar takimit të organizuar me kandidatët e LSI-së, kreu i shtabit Bardhi Meli ka pohuar faktin se "janë këtu për kërkuar mbështetjen e tyre me qëllim që përmes programit dhe politikave të kësaj force të arrihet që zgjidhet kjo çështje dhe që ata të shkojnë në mënyrë dinjitoze në tokën e tyre në Çamëri".

Gjatë takimit kandidati Frederik Çuko ka theksuar faktin se edhe çështja çame që ka një rëndësi shumë të veçantë për kombin shqiptar do të mbetet në qendër të vëmendjes së politikave qeverise të kësaj force politike.

Ndërkohë që duke iu referuar kandidaturave të dy forcave të tjera PD dhe PS, Çuko parashtroi kërkesën që edhe këta banorë të kësaj lagjeje, të këtij komuniteti duhet të tregohen të vëmendshëm në votimin e tyre.

e.l/NOA

KOMENTE