English

Masakër me thika në Prishtinë, njëri vdes tjetri në koma

Prishtinë, 2 qershor NOA - Një masakër me armë të ftohta ka ndodhur gjatë orëve të pasdrekes së të hënës në qytetin e Prishtinës, me pasojë vdekjen e një të riu dhe plagosjen rendë të tjetrit.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur në orën 12.45 në rrugën "Nazim Gafurri" në Prishtinë.

Nga përleshja me armë të ftohtë (thikë) janë plagosur rëndë dy persona dhe si pasojë e plagëve të marra njëri prej tyre, rreth orës 13:20 ka ndërruar jetë.

Vdekjen e viktimës L. H, një djalë 19 vjeçar e ka konfirmuar ekipi mjekësor në QKUK, ndërsa personi tjetër i lënduar A.B, një djalë 18 vjeç është në spital në gjendje të rëndë.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

"Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se e gjithë kjo ka ardhur si shkak i një ngatërrese në mes të të dyshuarve dhe viktimës", deklaroi policia e Prishtinës.

Ajo shtoi se strukturat rajonale për hetimin e krimit aktualisht po punojnë me një përkushtim të madh për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar si të implikuar në ngjarje.

Të dyshuarin A. B, 18 vjeç, policia e ka arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur krimi, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë B. M dhe L. B., tani për tani janë në arrati dhe policia tha se është vënë në kërkim të tyre.

a.b/NOA

KOMENTE