English

Mjaft me kacafytjen e gjelave të politikës

Nga Edi Rama*

Kryetar i Partisë Socialiste

Edhe 27 ditë mbeten nga ndarja me të shkuarën! Edhe 27 ditë për të inauguruar rrugën e politikës së re në qeverisje. Edhe 27 ditë për t'u dhënë fëmijëve të varfër librat e shkollës falas. Edhe 27 ditë për t'u dhënë të moshuarve respektin që meritojnë. Edhe 27 ditë për t'u dhënë mësuesve e mjekëve shtetin në krah dhe për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e arsimit e të shëndetësisë shqiptare.

Edhe 27 ditë për t'u dhënë sipërmarrësve lirinë që u mungon dhe piedestalin që u takon njësoj si artistëve e sportistëve, sepse kjo është bota e sipërmarrjes dhe në këtë botë sipërmarrësit nuk mund të persekutohen as me xhandarë tek dera, as me paga reference, as me gjoba arbitrare e me rregulla loje që ndërrojnë çdo 6 muaj dhe as me favorizime për klientët e pushtetit që deformojnë konkurrencën dhe tregun.

Edhe 27 ditë për t'u dhënë rrethinave të Tiranës, Durrësit e të të gjithë qyteteve të mëdha, të gjithë të ardhurve që jetojnë në mjerimin e zonave informale, politikën e re të integrimit urban që do të fillojë me realizimin e plotë të procesit të legalizimeve të shtëpive dhe me hapjen e një fondi të posaçëm për kanalizimet, ujësjellësit, çerdhet, kopshtet, shkollat e gjithçka duhet për t'u kthyer këto zona në lagje të reja të qyteteve tona.

Lejomëni t'iu përulem me mirënjohje ju dhe atyre qindra mijëra njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, nga Tropoja në Konispol, që më bënë pjesë të shpresave e të vuajtjeve të tyre gjatë udhëtimit më të jashtëzakonshëm të jetës sime.

Ky udhëtim, që më çoi në çdo anë e kthinë të Shqipërisë që nuk duket nga kutia e televizorit, i ka dhënë dashurisë sime për vendin një përmasë tjetër dhe më ka rrënjosur bindjen se ndryshimi që njerëzit kërkojnë s'mund të ndodhë pa ndryshuar politikën. Kjo bindje dhe nevojë e kudondodhur për ndryshim më ka shtyrë në rrugën e politikës së re.

Miq e dashamirës që njësoj si unë, njësoj si ju, e duan ndryshimin, thonë se kjo betejë mes të ardhmes e së shkuarës fitohet vetëm me mjetet e së shkuarës, prandaj duhet të nxjerrim dhëmbët e të ulërijmë deri në kupë të qiellit për ta mposhtur kundërshtarin, sepse shqiptarët shkojnë pas më të fortit.

Ndërsa unë them jo, sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa të njëjtën luftë të vjetër gjelash që kacafyten me njëri-tjetrin. Mjaft 18 vjet me kacafytjen e gjelave të politikës majë plehut të prapambetjes për shkak të politikës. Është koha e një vizioni të ri për politikën, për vendin dhe për njëri-tjetrin.

Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa një politikan që fiton mbi një tjetër politikan në garën e ulët të denigrimit mes njëri-tjetrit. Mjaft 18 vjet me garën e shëmtuar të përbaltjes së njëri-tjetrit në dëm të të gjithëve. Është koha e betejave të reja për idetë e zhvillimit e të integrimit tonë në botën e re ku meritojnë të jetojnë fëmijët tanë.

Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa thjesht një tjetër ndryshim të qeverisë nga një krah në tjetrin. Mjaft 18 vjet me ndryshimet e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen po jo zakonet e këqija të pushtetit që në 18 vjet u ka dhënë shqiptarëve vetëm shfaqjen bajate të pazarit të vjetër politik të interesave të vogla. Është koha e një ndryshimi radikal, koha e një ndarjeje të prerë, koha e një kapërcimi të madh, për t'i dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për t'i dhënë jetë një pushteti të së resë.

Sot shqiptarët meritojnë një politikë që të ketë zemër për të ndjerë dhimbjet e tyre, veshë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, sy për të parë ëndrrat e tyre, vizion, forcë e këmbëngulje për t'i hapur rrugë shpresave të tyre, pasion e vullnet për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e Shqipërisë.

Prandaj unë jam sot këtu. Prandaj unë dua të jem kryeministri juaj. Prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh sipas interesave të tyre dhe të hap një faqe të re, ku së bashku t'i shkruajmë gjërat në katër vitet e ardhshme sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes tonë e të fëmijëve tanë pa dallim.

Sali Berisha më bën thirrje të bëj trimërinë që të fus emrin të parin në listën e deputetëve dhe t'i braktis qytetarët e Tiranës. Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund t'i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin që shkruam së bashku gjatë Dialogut me Shqipërinë, ku do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë e re si gjithë Europa.

Për mua politika nuk është luftë për pushtet, as mundësi për t'i gjetur vetes një karrige dhe as instrument për të përfituar duke thënë gjëra që nuk i bëj e duke bërë gjëra që nuk thuhen.

Ne jemi partia e qytetarëve që jetojnë në qytet e në fshat, sepse për ne nuk ka një Shqipëri qytetarësh e një Shqipëri fshatarësh, po një Shqipëri të vetme qytetarësh të barabartë të republikës sonë. Këtë frymë në skuadrën tonë e përforcon edhe prania e Ali Dobroshës që u kthye edhe ai nga emigracioni e sot është një arsye e fortë që banorët e Qerretit e të ultësirës rurale të Durrësit të votojnë listën e Partisë Socialiste.

E shikoni vetë miqtë e mi se çfarë mundësie të shumëfishtë ju jep Partia Socialiste për ta shtatëfishuar fuqinë e votës suaj, ndërkohë që të tjerë jua kërkojnë votën për ta nxjerrë të nesërmen e zgjedhjeve në pazarin e vjetër të numrave që mbajnë peng qeveritë.

Me votën që keni në dorë ju do të zgjidhni mes dy rrugësh. Ose rrugën e vjetër të këtyre 18 vjetëve që, do të thotë edhe katër vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe me të tjera trazira e zullume të pazarit të politikës së vjetër. Ose rrugën tonë të re, që do të thotë ndarje me të shkuarën e me marifetçinjtë politikë të së shkuarës dhe dalje nga pazari i vjetër i numrave e i hesapeve me të cilat duan t'ju mbajnë peng edhe katër vjet të tjera gjithfarë partish e kandidatësh.

Vota e 28 qershorit është e madhe sa ëndrra jonë, është e jashtëzakonshme sa sfida jonë, është e rëndë sa barra jonë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Prandaj shtatëfishojeni duke votuar për Partinë Socialiste!

(*) Fjala e mbajtur më 1 qershor 2009, në takimin e zhvilluar në qytetin e Durrësit

KOMENTE