Prishtinë, 2 qershor, NOA - Shënjimi i kufirit Kosovë-Maqedoni është në fazën përfundimtare, pohojnë zyrtarë të Prishtinës dhe Shkupit, duke mohuar deklaratat se mospërfundimi i këtij procesi ka lënë pezull raportet diplomatike mes dy vendeve.
Komisioni qeveritar për demarkacionin e kufirit bën të ditur se rreth 99 për qind e vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë tashmë është shënjuar. Sipas këtij Komisioni, procesi mund të quhet i mbyllur pasi që të përfundojnë edhe procedurat teknike. Bekim Çollaku, kryetar i Komisionit të përbashkët për demarkacion, shpjegon dinamikën e këtij procesi. "Procesi i demarkacionit është në fazën përfundimtare, nëse e marrim me përqindje, diku 99 % e tërë vijës që ka qenë për demarkacion, është kryer. Natyrisht, tash ka procedura teknike të nënshkrimit, mirëpo është në përfundim e sipër", tha Çollaku. Shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë ka nisur në muajin shtator të vitit të kaluar. Komisioni i përbashkët qeveritar i Prishtinës dhe i Shkupit ka thënë se ky demarkacion është bërë duke u bazuar në shënimet kadastrale, e jo në marrëveshjen kundërthënëse që ishte arritur në vitin 2001 mes Beogradit dhe Shkupit, e cila ishte kundërshtuar nga Prishtina. Kjo marrëveshje thuhej se do t'i humbte Kosovës 2 mijë e 500 hektarë tokë. Procesi fillimisht qe kundërshtuar nga banorët kosovarë të fshatrave kufitare, të cilët pretendonin se me shënjimin e vijës kufitare, po dëmtoheshin. Sidoqoftë, puna ka vazhduar dhe gurët janë vënë gjithandej vijës kufitare. Bekim Çollaku thotë se procesi do të përfundojë ashtu që do t'i kënaqë të gjitha palët. "Ky proces duhet të përfundojë në atë mënyrë, që të dyja palët, edhe pala kosovare, edhe ajo maqedonase, që nënkupton edhe banorët e Kosovës, të jenë të kënaqur dhe të pajtohen me demarkacionin. Kjo - për të pasur zgjidhje afatgjate. Krejt qëllimi i këtij procesi është që njëherë e përgjithmonë ta mbyllë këtë çështje dhe që dy shtetet të kenë marrëdhënie normale ndërmjet vete", tha ai. Çollaku thotë se përfundimi i tërë procesit mund të kërkojë javë, por jo edhe muaj. Ndërkohë, edhe zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Martin Martinovski, pohon se procesi është në përfundim e sipër."Procesi i demarkacionit në kufirin verior me Kosovën është në fazën përfundimtare dhe shpresojmë se bashkëpunimi dhe raportet me Kosovën do të bëhen me dinamikën që është përcaktuar nga të dyja palët dhe që është në interes të raporteve të mira ndër-fqinjësore", tha Martinovski. Shënjimi i vijës kufitare mes dy vendeve ka nisur para se Maqedonia ta njohë Kosovën. Atëherë thuhej se mospërfundimi i këtij procesi, po zvarrit njohjen. Tani, po ky proces fajësohet për mosngritjen e marrëdhënieve diplomatike mes Prishtinës e Shkupit. Ndërkohë që Martinovski nuk pranon të përgjigjet në lidhje me këtë çështje, Çollaku hedh poshtë këtë si mundësi. "Kjo nuk qëndron. Ky është proces teknik dhe pjesë e punës së përbashkët e një grupi teknik, që përbëhet nga pala maqedonase dhe kosovare dhe nuk ka të bëjë asgjë me aspektin e marrëdhënieve diplomatike bilaterale, të cilat duhet të vendosen në nivel të ministrive përkatëse", u shpreh Çollaku. Raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë, sipas analistëve, kanë shënuar një rënie, jo për shkak të demarkacionit të kufirit, por për shkak të veprimeve të Shkupit zyrtar karshi Prishtinës. Problemi nisi me inaugurimin e presidentit maqedonas, George Ivanov, ku i vetmi president i rajonit që nuk u ftua të merrte pjesë, ishte Fatmir Sejdiu. Shkak qe pjesëmarrja e presidentit serb, Boris Tadië. Pavarësisht këtij veprimi, Prishtina u deklarua për bashkëpunim. Por, kulmi, sipas analistëve, u arrit kur George Ivanov ndryshoi karakterin e vizitës së presidentit Sejdiu në Maqedoni nga zyrtare në private. Presidenti Sejdiu anuloi vizitën, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi kërkoi nga Shkupi që të mos ndikohet nga, siç e quajti, politika e mbrapshtë e Beogradit.
NOA-INA