English

PS, Baraj: Berisha të largohet nuk mbajti premtimet që bëri katër vjet me parë

Tiranë, 2 qershor NOA - Partia Socialiste ka radhitur sot një sërë premtimesh të pambajtura nga kryeministri Sali Berisha.

Kandidati i PS për Tiranën, Besnik Baraj me anë të një deklarate ka bërë të ditur sot premtimet Berishës.

"Katër vjet më parë Sali Berisha doli përpara veteranëve të vendit tonë dhe u premtoi atyre dhe organizatës së tyre status të veçantë dhe mbështetje financiare nga ana e qeverisë së tij. Ky një premtim i pambajtur.

Një tjetër premtim, Sali Berisha premtoi se do të dyfishonte pensionet e gjithë pensionistëve të qytetit dhe se do të ngushtonte diferencën mes atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që jetojnë në fshat.

Berisha e bëri këtë premtim ndaj njerëzve të këtij vendi dhe e shkeli atë. Ai dështoi përpara pensionistëve dhe çdo qytetari të Shqipërisë. Ende sot Berisha nuk e ka mbajtur premtimin e tij për dyfishim të pensioneve në qytet. Berisha dështoi.

Përkundrazi pensionistët tanë kanë njohur rritjen më të ulët të pensioneve të tyre, por edhe ajo rritje e pakët nuk ndihet për shkak të rritjes galoponte që kanë pësuar çmimet e ushqimeve bazë, siç janë buka, vaji,orizi apo bulmetet" u shpreh Baraj.

Sipas tij, pensionistët në fshat vazhdojnë të marrin 60% më pak se ata që jetojnë në qytet. "Politika e re e ndryshimit ofron mundësi dhe shpresë për të gjithë njerëzit tanë dhe do t'i trajtojë pensionistët me dinjitet.

Ata janë ura lidhëse mes të shkuarës dhe të ardhmes dhe Edi Rama e Partia Socialiste do t'i trajtojnë ata me respektin që meritojnë për kontributin që i kanë dhënë vendit. Sali Berisha vazhdon të bëjë shumë premtime, por ai vazhdon njëkohësisht t'i shkelë ato. Berisha ka dështuar, ndaj është koha që ai të largohet" përfundoi Baraj.

k.k/NOA

KOMENTE