English

PS i nis OSBE/ODIHR-it letrën e katërt me rezervat për kartat e identitetit

Tiranë, 2 qershor, NOA - Partia Socialiste i ka dërguar sot letrën e saj të katërt prezencës së OSBE, Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri (ODIHR) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me rezervat dhe propozimet që ajo ka mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.

E nënshkruar nga Fatmir Xhafaj, sekretar për Çështjet ligjore dhe Koordinimin në selinë rozë, ajo pohon se "në praktikën konkrete të përditshme, rezulton të jetë e pamundur që komisionerët e qendrave të votimit të verifikojnë vërtetësinë e kartave të identitetit dhe pasaportës për jashtë shtetit".

"Verifikimi i saktësisë dhe autenticitetit të dokumentave të identifikimit që do të përdoren në procesin e votimit bëhet edhe më tej i domosdoshëm në kushtet kur raportohen pasaktësi në mbushjen e tyre dhe mundësi të aplikimit më shumë se një herë të një shtetasi. Nisur nga eksperienca në vende te tjera ku në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të fallsifikuara, nevoja për përdorimin e pajisjeve që do të bënin dallimin mes dokumentave të saktë, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania Aleat dhe atyre të falsifikuar, bëhet emergjente", parashtrohet më tej në këtë letër.

Duke parashtruar si kërkesë ndaj OSBE-ODIHR dhe KQZ, shqyrtimin dhe vendosjen e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verfikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit.

"Zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve (KQV) me nga një paisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike.

Partia Socialiste beson fort se një vendim i tillë do të shërbejë si një garanci e domosdoshme për t'i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme", thuhet ndër të tjera në këtë letër të selisë rozë.

"Partia Socialiste çmon se kjo është një kërkesë plotësisht e realizueshme dhe tërësisht e legjitimuar, e cila do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit në 28 qeshor 2009. Theksojmë, se në funksion të detyrës kushtetuese e ligjore që ka KQZ për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit. Në këto kushte, kjo kërkesë duhet të konsiderohet nga ju, si një nevojë e domosdoshme që duhet adresuar pozitivisht me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme", përfundon letra në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE