English

PS, Ruçi në Lushnje: Ky është pushteti që të vret ditën dhe thërret makinat e funeralit për të varrosur

Lushnje, 2 qershor NOA - Kandidatët për deputetë të Lushnjës, Gramoz Ruci e Arben Çuko kanë qenë në fshatin Bubullimë të këtij qyteti ku kanë bashkëbiseduar me banorët.

Në bisedimet e tyre kanë qenë të fokusuara arsyet pse Berisha dhe e gjithë mazhoranca dështoi në mbajtjen e premtimeve për rritje të mirëqenies në qytetet dhe në fshatrat e vendit.

"Berisha dështoi pasi fshatari sot është më i varfër dhe e gjithë Shqipëria sot është më e papunë. Ne ofrojmë një program vlerësoi ai me ide, zgjidhje të reja dhe vullnet të ri. Ky program do jetë fitues më 28 qershor për të bërë të mundur atë ndryshim që kemi 18 vjet që e presim" u shpreh para banorëve të fshatit Bubullimë të Lushnjes, Gramoz Ruçi.

"Jemi në momentin kur po numërohen minutat e fundit të një pushteti uzurpator, që rrëmbeu votën tuaj në 2005,

Të një pushteti gënjeshtar që ka katër vjet që gënjen dhe ushqen popullin me lugë bosh.

Të një pushteti grabitës që ka vjedhur xhepat e çdo shqiptari, të pensionistit, infermierit, mësuesit.

Të një pushteti që të vret ditën me diell dhe pastaj thërret makinat e funeralit për të të varrosur apo ambulancat për të të dërguar në spital" u shpreh Ruçi.

Sipas tij është e drejtë solemne e çdo qytetari që në 28 qershor të bëjë bilancin e ditë pas dite të qeverisjes që ka pasur në kurriz.

Sipas Ruçit, Berisha e do pushtetin për t´u mbrojtur nga drejtësia, për të mbrojtur veten, fëmijët e tij dhe fëmijët e tij politikë.

"Vota juaj do ta nxjerrë atë në pension politik. Dhe, pastaj, ne të gjithë do të lutemi që ta ketë jetën e gjatë. Ta ketë jetën e gjatë që të ketë pafund kohë të pendohet dhe të ndëshkohet nga historia" shtoi më tej Ruçi.

k.k/NOA

KOMENTE