English

Vrasje mes fëmijësh në ditën e 1 Qershorit në Prishtinë

Prishtinë, 2 qershor NOA/E Update - Policia e Kosovës, ka arrestuar dy të mitur 14 vjeç , nxënës të shkollës mesme Teknike në Prishtinë, për vrasjen e nxënësit të një ditë më parë.

Njëri prej të arrestuarve B.M, dyshohet të jetë autori kryesor në vrasjen me thike të të miturit, i cili ishte vetëm në klasë të 11-të të kësaj shkolle.

Vrasja në këtë shkollë, ndodhi me 1 qershor, pikërisht në ditën ndërkombëtare të fëmijëve.

Vrasje për 1 Qershor Derisa festohej Dita ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, të hënën, në Prishtinë, dhuna mori jetën e një nxënësi.

Leutrim Halimi, nxënës i klasës XI-të të Shkollës Teknike, vdiq nga plagët e marra nga thika e një moshatari të tij. Sipas policisë, këta dy ishin duke u grindur në shkollë, për motive ende të panjohura.

Ndërkohë, të njëjtën ditë, nxënësit lëshuan një deklaratë të tyre, ku nga institucionet kosovare u kërkua më shumë respekt për të drejtat e tyre, pastaj që të ndalet dhuna në shkolla, familje, rrugë, e vende të tjera.

Përveç mbrojtjes së fëmijëve, në deklaratë kërkohen edhe shërbime të tjera, si në shkolla të ketë mjekë, psikologë, lëndë shtesë, si edukatë seksuale e gjëra të tjera të nevojshme për fëmijët e Kosovës.

Këtë deklaratë, fëmijët e lexuan në takimin kryesor zyrtar të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e kabinetit të kryeministrit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, UNICEF-in, Këshillin Rinor Kosovar dhe Këshillin e nxënësve të Kosovës.

"Edukimi dhe arsimimi është i rëndësishëm në jetën tonë. Kohë pas kohe po shohim përmirësime në këtë drejtim, si përmirësime të kushteve e reforma, por çdo ditë po vërejmë edhe mangësi dhe problemet të tjera", tha nxënësja Shpresa Rama.

Probleme të tilla si sjellje asociale të nxënësve, reflektimi i sjelljeve të tyre për shkak të problemeve familjare sociale dhe pasojave të luftës, po ashtu rastet kur dikush mungon në shkollë, sepse duhet të punojnë për ta mbajtur familjen, e të cilët janë të rrezikuar nga trafikantët e keqpërdoruesit.

KOMENTE