English

I refuzuan liridalje nga burgu, vetëflijohet emigranti shqiptar

Athinë, 3 qershor NOA - Një emigrant shqiptar u gjet i vdekur në qelinë e burgut të Malandrinës në Greqi dhe policia e klasifikoi ngjarjen si një vetëvrasje të ardhur pas refuzimit nga autoritetet të një kërkese për liri të përkohshme.

Viktima është Ismet Boshli, shtetas shqiptar, i proceduar penalisht nga drejtësia greke. I ndjeri po vuante një dënim në burgun e Malandrinës, njoftoi policia për agjencinë e lajmeve NOA.

Sipas të dhënave nga hetimit, shqiptari Ismet Boshli, u gjet i varur në orën 04.00 të ditës së mërkurë, në qelinë ku qëndronte duke vuajtur dënimin prej nëntë vjetësh.

"Viktima Ismet Boshli, kishte lënë një shënim në një copë letër, ku sqaronte se ishte i indinjuar nga fakti se prej nëntë vjetësh me radhë, asnjëherë nuk i ishte dhënë mundësia për liri të përkohshme sikundër aplikojnë dhe fitojnë një numër të dënuarish të tjerë", citoi policia, pjesë nga letra që sekuestroi si provë materiale të ngjarjes.

Në letër, viktima shprehte dhe pakënaqësi për kushtet në mjediset e burgut të Malandrinës.

Po ashtu, në letër i ndjeri shkruante se kërkonte nga familja e tij që të mos mërzitet për faktin se ai po ikte nga kjo botë.

Kurse në fund, lëshonte dhe mesazhin tjetër: "Unë po var veten duke u flijuar në mënyrë që t'i bëj mirë pjesës tjetër të të burgosurve që trajtohen në mënyrën si u trajtova unë".

I menjëhershëm ka qenë reagimi për ngjarjen. Deputeti Taso Kuraki, i njohur për lajmin e vetëvrasjes së emigrantit shqiptar, foli për një regjim mesjetar në burgjet greke.

"Kjo është një tjetër viktimë e shtuar në listën e gjatë e të burgosurve të cilët kryejnë aktin e dhimbshëm të vetëvrasjes. Jo vetëm që kushtet e burgimit, por edhe procedurat disiplinore hakmarrëse, e pajustifikueshme dhe refuzimi i lejeve, janë faktorë të rëndësishëm që çojnë në të tilla ngjarje", - u shpreh deputeti Kuraki.

Ai shtoi se "përgjegjësia mbi të tilla flijime, bie pa dyshim mbi autoritetet e burgjeve".

n.s/NOA

KOMENTE