English

Ndotja e plazhit të Vlorës, policia identifikon autorët e dyshuar. Reagon Berisha: Është e qëllimshme

Vlorë, 3 qershor NOA - Policia e Vlorës, ka akuzuar sot për ndotje mjedisi të qëllimshme dy shoferë autobotesh, të cilët aktualisht ndodhesh në komisariat.

Zona e bregdetit në plazhin e vjetër të Vlorës, e konkretisht në vendin e quajtur Kanali i Motorit, është ndotur mëngjesin e sotëm nga një sasi të konsiderueshme nafte, çka detyroi policinë të nis menjëherë hetimet për të identifikuar përgjegjësit.

Burime nga policia bënë të ditur sot se nga hetimet paraprake mësohet se këtë ndotje e ka shkaktuar firma "Arkand Xhunior SHPK" me administrator 39-vjeçarin Genis Mëhilli, banues në Vlorë, i cili u shoqërua në ambientet e policisë.

"Kjo firmë ka marrë mbetje nafte nga anija "Guildo" dhe i ka shkarkuar në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor" thanë burimet zyrtare nga policia e Vlorës.

Sipas saj deri tani janë bllokuar katër autobote, të cilat kanë kryer derdhjen e hidrokarbureve, (naftë e vaj), të anijes.

Ndërkohë që janë shoqëruar shoferët e autoboteve, Florian Çeçi dhe Mikel Gjini.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të shoqëruarit kanë derdhur mbetje nafte në mënyrë të qëllimshme për të shkaktuar një dëm mjedisor.

Mbi ta rëndon akuza e ndotjes së ujërave e kryer në bashkëpunim.

Mësohet se në total ka pasur rreth 680 ton mbetje për të zbrazur.

Normalisht në këtë zonë është kategorikisht e ndaluar të ketë të tilla derdhje, pasi ndotet zona e plazhit.

Kështu dyshohet se personat kanë zbrazur pa leje dhe në mënyrë të qëllimshme rreth 60 ton naftë, konkretisht 3 maune me naftë bruto, solar, duke ndotur në një shkallë të lartë jo vetëm bregun e detit, por edhe thellësinë.

Për pasojë zbrazja e mbetjeve shkaktoi një ndotje të theksuar në zonën e plazhit të vjetër, shumë pranë portit të ri të petroliferës, që u inagurua sot nga kryeministri Sali Berisha, dhe presidenti i grupit PIR, Guido Ottolenghi.

Ndërkohë që për këtë ngjarje ka reaguar dhe kryeministri Berisha i cili ka deklaruar se gjithçka është e qëllimshme.

"Ky është i njëjti veprim dhe stisje, që u bë me "vjedhjen e orës së presidentit Bush", tha Berisha, gjatë takimit inagurues të petroliferës.

"Ky veprim i kryer sot ishte i stisur që vlonjatët të mendojnë se petrolifera po kryhen ndotje të detit në Vlorë, por ata duhet të dinë se ky është impianti më modern në gjithë Mesdheun, dhe me parametra bashkëkohor dhe tepër i sigurt. Përgjegjësit janë identifikuar" shtoi më tej kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE