English

"Poli i Lirisë": PD dhe PS po manipulojnë mediat, informim OSBE-ODHIR

Tiranë, 3 qershor NOA - "Poli i Lirise" denoncoi sot deformimin e fushatës mediatike zgjedhore nga binomi PD-PS, synimi i të cilit është manipulimi psikologjik i garës elektorale nëpërmjet krijimit të imazhit se përveç këtyre dy forcave dhe partive te tyre satelitore nuk ka pjesëmarrës të tjerë reale në këtë garë.

"Për këtë qëllim të dy këto parti e zhvillojnë debatin në media vetëm me njëra-tjetrën, duke e shmangur me çdo kusht përballimin me koalicionet dhe faktorët e tjerë politikë", - tha përfaqësuesi i PDK, Apollon Baçe.

Sipas tij, kjo tregon qartas dëshirën për fshehjen e realitetit dhe frikën reale që ato kanë nga ndëshkimi i pritshëm prej zgjedhësve shqiptarë.

"Të vetëdijshëm se përgjegjësia e gabimeve të renda të 18 vjetëve të shkuar: pabarazia para ligjit, korrupsioni, mungesa e transparencës, mungesa e plotë e vizionit ekonomik, i takon sa njërës pale aq edhe tjetrës, të dy këto parti kanë kaluar në debate formale, të mërzitshëm dhe boshe, duke iu shmangur problemeve që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare", - tha Baçe, anëtar i Bordit të Orientimit të Politikave "Poli i Lirisë".

Ne qendër të këtyre debateve, sipas tij, nuk qëndron qytetari shqiptar me hallet dhe dëshirat e tij, por gjuha e interesave të përbashkëta të oligarkisë politiko-financiare të binomit PD-PS.

"Ndërkohë, debati i sotëm televiziv vijon vazhdën e pseudo-sondazheve për krijimin e opinionit publik se përveç PD-së dhe PS-së nuk ka asnjë alternative tjetër, se ndër dy të këqijat duhet zgjedhur e keqja më e vogël ose nuk duhet marrë pjesë në zgjedhje", - deklaroi Baçe.

Krejt në të kundërt, - shtoi ai, - asnjëra prej këtyre dy partive nuk do të arrijë maxhorancën e duhur për krijimin e qeverise dhe gjuhëz e kandarit do të jetë minoranca bllokuese".

Po sot, ka folur dhe kryetari Demokristian Nard Ndoka, i cili ka informuar për shkeljen e ligjit dhe censurimin e aktiviteteve politike te PDK dhe "Polit të Lirisë" nëpërmjet një shkrese KKRT, OSBE dhe ODHIR. "Poli i lirisë i hedh binomit PD-PS dorezën e sfidës për ballafaqimin me idetë dhe vizionet e polit, për ballafaqimin e drejtpërdrejtë në syrin e qytetarit të thjeshtë me gjykatës qytetarin e thjeshtë, i cili di ta ndaje fare bukur farsën mediatike nga realiteti i hidhur", - tha Ndoka.

Letra e plotë

Lënda: Informim për shkeljen e ligjit

DREJTORISË SË TELEVIZIONIT SHQIPTAR

Znj.Mirela OKTROVA

Për dijeni: OSBE-ODIHR T i r a n ë

KKRT T i r a n e

Mbeshtetur në Ligjin nr.8410, datë 30.09.1998 "Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqiperisë", i ndryshuar dhe të Ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikes se Shqiperise", ju informojme:

Partia Demokristiane njeh e respekton pavarsine tuaj profesionale, misionin tuaj te informimit publik, por njeheresh vlerson se është detyre e cdo institucioni shteteror, publik e privat te respektoje ligjet ne fuqi, integritetin dhe aktivitetin e çdo subjekti politik, parlamentar e ligjor.

Me ketë rast dëshirojmë të shprehim shqetesimin tonë institucional për vendime jo ligjore nga ana e TVSH-së në raport me ligjet e siperpërmendura.

TVSH, si institucioni që financohet nga taksat dhe buxheti i shtetit, po perdoret nga mazhoranca qeverisese në dëm të subjektit tonë politik (Partia Demokristiane e Shqiperisë).

TVSH-ja nuk po pasqyron aktivitet tona politike dhe njoftimet për shtyp edhe kur ato dërgohen të gatshme në formën elektronike (kasetë), duke censuruar në shumicën e rasteve edhe kur vendos ti transmetojë.

TVSH, po zhvillon debate televizive me kandidatët sipas Qarqeve, na ka dërguar një shkrese me nr.279 prot, datë 27.04.2009 "Format i ri televiziv për pasqyrimin e fushatës elektorale, për zgjedhjet parlamentare" ku kerkon bashkëpunim me ne si subjekt politik.

Jemi përgjigjur me shkresë zyrtare dhe kemi dërguar emrat e personave per debat.

Sot verejmë me shume shqetesim, se drejtuesit e TVSH-se te ndikuar nga urdherat politik, po veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke zhvilluar debate me parti te të njejtit koalicion politik, konkretisht Aleanca e Ndryshimit PD e PR, ndërsa për koalicionet e majta Bashkimi për Ndryshim, PS dhe Aleanca Socialiste për Integrim, LSI.

Pra nga kambi i majtë ruhet përfaqesimi i dy koalicioneve, ndërsa djathtas përjashtohet Koalicioni Poli i Lirisë dhe PDK.

Debatet bipolore PD e PS vërehen në shumë televizione private, duke përjashtuar koalicionet e tjera dhe alternativat e ndryshme politike.

Tashmë është e qartë që ekzistojnë katër koalicione dhe debatet duhet të fukusohen ndermjet këtyre koalicioneve.

Vërejmë me shqetesim interferimet politike të pushtetit, djathtas nga qeveria dhe majtas nga bashkia e Tiranës, duke përdorur të gjithë ndikimet e pushtetit dhe më gjerë, për përjashtimin e koalicioneve të tjera nga debatet dhe prezenca televizive.

Në shumë media është quajtur "Rrethimi mediatik i Polit të Lirisë", i cilësuar nga shumë analistë politik të paanshëm. Kërkojme ndërhyrjen tuaj për respektimin e ligjit.

Me respekt,

K R Y E T A R I

Nard NDOKA

KOMENTE