Tiranë, 3 qershor NOA - Presidenti i ri i Realit të Madridit, Florentino Perez beson se Kristiano Ronaldo mund të jetë një "model" për klubin, nëse do të firmosë kontratën e përfolur prej kohësh.
Ronaldo është rikthyer në çështjen e merkatos së verës, ashtu sikurse edhe një vit më parë, kur ishte shumë pranë një kalimi të mundshëm tek merengesit.
Mançester Junajtid është shprehur i sigurt, se lojtari portugez i krahut, do të jetë të paktën edhe për një sezon tjetër, pjesë e klubit anglez, që fitoi titullin e Premier Ligës.
Por Perez nuk tundet dhe është gati që të shpenzojë më shumë para, për të blerë kartonin e "Topit të Artë".
Gjithsesi e sigurt është se Perez është shprehur i gatshëm që të nisë një epokë të dytë të llojit, era "Galacticos".
"Nuk di asgjë rreth historisë së Kristiano Ronaldos. Vetëm do doja që të ishte një përforcim i ekipit tonë," - theksoi Perez për një televizion spanjoll.
"Ajo për të cilën jam i sigurt është se gjërat që duken të shtrenjta, në fakt bëhen të lira.
Në periudhën e parë që drejtova klubin mund të them se i lirë ishte Zinedin Zidane, i cili dukej shumë i shtrenjtë, sepse ne shpenzuam 73 milionë euro, për të blerë kartonin e tij.
Pa e ditur ende, se cilët lojtarë do të afrojmë në merkato, ka një çështje madhore për lojtarë të tjerë të mëdhenj të botës, për faktin se Reali i Madridit është një model në këtë aspekt. Ronaldo më duket gjithmonë i uritur dhe me një shpirt konkurrues".
Perez më tej shtoi: "Ne filluam punë me dëshirë për të ndërtuar një ekip të mrekullueshëm,- vijoi më tej presidenti i ri i Realit të Madridit - Kaka mund të jetë në objektivat tona, por çmimi i tij për të cilin flitet aktualisht në media vlerësohet se është krejt jashtë realitetit," - theksoi Perez.
"E vërteta është se ne dëshirojmë që ta kemi në skuadër brazilianin Kaka dhe kjo nuk është një dëshirë e pavërtetë. Kam marrëdhëniet shumë të mira me drejtuesit e Milanit, por ka edhe ekipe të tjera që kanë projektet e tyre dhe çdo gjë e ka një çmim. Ne do të punojmë për të ndërtuar një ekip të madh, por jo të gjithë do të vijnë për të qenë pjesë e Realit të Madridit", - tha Florentino Perez.
a.k/NOA