English

PS këmbëngul: Ministria e Brendshme të na vërë në dispozicion listën e zgjedhësve në shkallë vendi

Tiranë, 3 qershor NOA - Partia Socialiste i ka dërguar sërish letër ministrisë së Brendshme me anë të së cilës kërkon listën e zgjedhësve në shkallë vendi, kërkesë e cila është kryer edhe më parë por pa përgjigje nga ana e ministrisë së Brendshme.

"Me shkresën tonë Nr. 116, datë 28.05.2009 në respektim të pikës 2 të nenit 57 të Kodit Zgjedhor i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe juve në vëmendje si Ministër i Brendshëm duke ju kërkuar konform parashikimit të ligjit të vini në dispozicion të subjektit tonë zgjedhor - Partia Socialiste e Shqipërisë një kopje elektronike të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi sipas qendrave përkatëse të votimit" thuhej në letrën e PS dërguar sot ministrisë së Brendshme.

Partia Socialiste citon ligjin sipas së cilit ministria e Brendshme e ka për detyrë të dorëzojë listën brenda 3 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës.

Por kërkesa e PS-së është kryer që prej gjashtë ditësh, duke akuzuar ministri së ka shkelur ligjin.

"Kjo sjellje e qëllimshme është në vazhdën e mungesës së plotë të transparencës dhe komunikimit normal institucional që ministria që ju drejtoni është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore. Ne i konsiderojmë këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elementë të strategjisë së kësaj maxhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për ti vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë" thuhej më tej në letër.

k.k/NOA

Më poshtë vijon letra e plotë:

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË

ASAMBLEJA KOMBËTARE SOCIALISTE

SEKRETARIATI EKZEKUTIV

Drejtuar :

Z. Bujar Nishani

Ministër i Brendshëm

TIRANË

Në vëmëndje :

Prezencës së OSBE

Sh.T.Z. Robert Bosch, Ambasador

ODHIR - Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri

Audrey Glover, Ambasador

Subjekti : Rikërkohet lista e zgjedhësve në shkallë vendi.

Me shkresën tonë Nr. 116, datë 28.05.2009 në respektim të pikës 2 të nenit 57 të Kodit Zgjedhor i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe juve në vëmëndje si Ministër i Brendshëm duke ju kërkuar konform parashikimit të ligjit të vini në dispozicion të subjektit tonë zgjedhor - Partia Socialiste e Shqipërisë një kopje elektronike të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi sipas qendrave përkatëse të votimit.

Ligji ka përcaktuar detyrimin e këtij institucioni, pjesë e Ministrisë që ju drejtoni, për të na dorëzuar listën brenda 3 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Sot është dita e 6-të nga afati i mbylljes së listave përfundimtare si dhe nga dorëzimi i kërkesës sonë dhe ju në shkelje të hapur të ligjit nuk keni kthyer ende një përgjigje kur dihet që mbeten edhe vetëm 24 ditë nga data e zgjedhjeve.

Kjo sjellje e qëllimshme është në vazhdën e mungesës së plotë të transparencës dhe komunikimit normal institucional që ministria që ju drejtoni është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore. Ne i konsiderojmë këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elementë të strategjisë së kësaj maxhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për ti vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë.

Ju kujtoj zoti Ministër se këto janë detyrime të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor ç'ka do të thotë se me këto veprime jeni duke shkelur ligjin.

Me shpresën për një përgjigje sa më të shpejtë dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare ju shprehim gatishmërinë maksimale dhe pjesëmarrjen konstruktive të PSSH në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit.

Ne mbetemi të vendosur në realizimin e një procesi zgjedhor që garanton tërësisht zbatimin e kërkesave të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Me respekt

Fatmir XHAFAJ

Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin

KOMENTE