English

Topi drejt Malit të Zi, do marri pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë

Tiranë, 3 qershor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar, u nis sot drejt Malit të Zi për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore "Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike", i cili do të zhvillohet në datat 3-4 qershor 2009, në qytetin e vjetër turistik Cetinjë.

Në këtë forum të tetë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, do të marrin pjesë Krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, etj, të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

Në forum do të jenë gjithashtu të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Devis dhe Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koiçiro Macura. Presidenti Topi do të mbajë fjalën në një nga sesionet plenare të Forumit, ku do të përshëndesë organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm për rajonin e Ballkanit, si dhe do të vlerësojë rëndësinë që ka për rajonin tonë promovimi i vlerave kulturore e turistike në mbarë Evropën. Gjatë punimeve të Forumit, do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore.

Gjithashtu, pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri e Kosovë etj. Pritet që Presidenti Topi të zhvillojë edhe takime dypalëshe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe me homologë e drejtues të tjerë të lartë, pjesëmarrës në Forum. Takimet dypalëshe të drejtuesve dhe delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok në kuadër të aspiratës integruese të vendeve tona në Bashkimin Evropian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.

k.k/NOA

KOMENTE