Tiranë 4 qershor NOA - Bajerni i Mynihut e ka mbërthyer në "duar të forta" lojtarin kryesor të formacionit, Frenk Riberi, duke deklaruar se ai nuk do të shitet.
Menaxheri i klubit, Uli Hënes prezantoi trajnerin e ri të ekipit, Luis van Gal, i cili mbërriti në Mynih të hënën dhe tani po sheh që të mbajë me çdo kusht "yllin" francez të futbollit.
Hënes theksoi: - "Trajneri dëshiron që ne ta mbajmë atë në skuadër. Ai nuk dëshiron që Riberi të largohet, në ndonjë ekip tjetër."Â
Riberi, 26 vjeç, është një prej lojtarëve më të kërkuar në treg dhe për të kanë shfaqur interes disa klube të mëdha në Evropë, si Mançester Junajtid, Çelsi dhe Reali i Madridit.
Por Bajerni është gati që të kthejë pas çdo ofertë që do t'i vijë për kartonin e lojtarit në fjalë".
Më tej Hënes shtoi:- "Shumica e klubeve i kanë mbyllur llogaritë me sezonin e tyre të fundit dhe janë aktualisht me pushime, por pronarët janë duke bërë planet e tyre dhe kanë në shënjestër edhe Riberinë".
Sipas Hënes, edhe më parë ka pasur oferta për lojtarin e mesfushës së tyre. - "Ka pasur oferta për Riberinë, gjatë katër deri në gjashtë javëve të kaluara. Jam i sigurt. Por ne nuk kemi asnjë vendim dhe nuk jemi të shqetësuar vetëm sepse bëhet zhurmë në mediat angleze".
Hënes paralajmëroi se pas "blerjes" së Gomesh nga Shtutgarti dhe të Oliçit të Hamburgut, më tej, do të ketë vend, edhe për lojtarë të tjerë.
"Në përgjithësi, katër sulmues janë të mjaftueshëm. Ne kemi pesë. Nuk duam të largojmë asnjë. Nëse dikush do të vijë tek ekipi ynë, duhet të bisedojmë më parë, pasi ka vend edhe për të tjerë", - përfundoi Hënes.
a.k/NOA