Fier, 5 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje pasdite një takim me qytetarë të Fierit dhe të zonave përreth, ku premtoi se Evropa me infrastrukturën më moderne do të jetë në pragun e derës së çdo qytetari të Fierit dhe të Shqipërisë.
"Shqipëria e vuajtjes dhe e dhimbjes, është Shqipëria e përkushtimit tim më të madh për t'i lehtësuar ato, sepse unë Sali Berisha do të bëj çdo përpjekje, derisa dhe qytetari i fundit i këtij vendi të zërë vendin e punës", - tha Berisha para banorëve në Fier.
Kurse theksoi se "lufta e pamëshirë kundër varfërisë dhe mjerimit është përparësia ime absolute".
Kryeministri foli gjatë për arritjet sipas tij në katër vjet qeverisje të drejtuar prej tij, ndërsa ndryshe nga mitingu i Vlorës, nuk e atakoi asnjëherë kreun e PS, Edi Rama.
Në vijim të premtimeve, Berisha tha se "brenda vitit të parë të mandatit të dytë, ju do të lëvizni të lirë, në mbarë Evropën, pa viza, si qytetarë të saj".
e.l/NOA