Gjirokastër, 4 qershor, NOA - Kryesuesja e listës së kandidatëve për Partinë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, gjatë një takimi elektoral në Granicën e sipërme, ka shprehur rezervat e saj kundër qeverisjes së djathtë, duke u shprehur se "të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se janë shumë herë më të varfër se katër vjet më parë si pasojë e keqqeverisjes".
Dade është ndalur tek programi i qeverisjes së socialistëve pas 28 qershorit ku fillimisht ka folur për arsimin, duke thënë se qeveria e ardhshme do të ribëjë ligjin e arsimit të lartë ndërkohë që pagat e mësuesve do të rriten në bazë të një modeli shpërblimi mbi bazën e vlerësimit.
Ndërsa lidhur me problematikat në qytetin e Gjirokastrës, Dade ka pohuar se qeveria e ardhshme e PS-së, do të investojë në fushën e turizmit në Gjirokastër.
"Qeveria e PD premtoi fonde dhe investime në zonën muzeale por nuk ka hedhur asnjë kacidhe, premtoi rehabilitimin e shkollave dhe nuk ka bërë asgjë duke dëshmuar se kanë qenë tërësisht premtime të pambajtura", është shprehur Dade.
Duke shtuar se "PS do të rigjenerojë zonën muzeale dhe kjo do të realizohet me projekte konkrete".
n.e/NOA