English

Djegia e një greku, emigranti shqiptar autor i krimit për 800 euro

Nga bashkëpunëtori në Greqi

Janinë, 4 qershor, - Një emigrant 42-vjeçar nga Shqipëria, identifikohet nga policia si autor i djegies me pasojë vdekjen të një shtetasi grek.

Policia e Janinës, konfirmoi sot arrestimin e 42-vjeçarit shqiptar të cilit nuk ia publikoi emrin, duke e konsideruar përgjegjës për vrasjen më 1 dhjetor 2008, të 64-vjeçarit grek.

Ngjarja, ndodhi në zonën e Gjeroplanos në Janinë, pranë kufirit me Shqipërinë, kur 64-vjeçari u gjet i djegur nën flakët që kishin përfshirë banesën e tij. Më 1 dhjetorin e kaluar kur ndodhi ngjarja, u lokalizua si incident me shpërthim zjarri aksidental.

Por hetimet që u zhvilluan gjatë këtyre gjashtë muajve, nxorën faktin se kemi të bëjmë me një krim.

42-vjeçari shqiptar u shoqërua në policinë e Janinës ku u vu përballë provash të cilat e detyruan të pranojë se ishte ai autor i zjarrvënies që i mori jetën 64-vjeçarit.

Referuar dëshmisë së shqiptarit të dyshuar dhe provave hetimore, policia tha se ngjarja erdhi si një përpjekje e autorit për t'i rrëmbyer viktimës së tij, 800 euro.

Këtë e kishte realizuar duke hyrë në banesën e 64-vjeçarit dhe e kishte goditur atë me një dru në kokë.

Pasi kishte kryer vjedhjen, për të zhdukur gjurmët e mundshme, 42-vjeçari e kishte mbuluar me një kuvertë të ndjerin dhe i kishte vënë flakën shtëpisë ku dhe viktima u gjet i djegur, pa jetë.

Më tej ai ishte larguar për në Shqipëri. Por duke besuar se ngjarja ishte mbyllur si aksidentale, ai para pak ditësh ishte rikthyer në Greqi. Sot paradite, i dyshuari u lokalizua në Moni Velas pranë Gjeroplanos në Janinë dhe nesër pritet të dalë para gjykatës për vlerësim mase sigurie.

n.s/NOA

Â

KOMENTE