Kapshticë, 4 qershor, Lajm dhe fotot Update/NOA - Sasia e drogës e dyshuar e llojit heroinë e cila u sekuestrua mesditën e sotme në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës kishte për destinacion Greqinë.
Droga u zbulua sot rreth orës 12:00, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, nga shërbimet e Seksionit Kundër Narkotikëve, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, në bashkëpunim dhe me shërbimet e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Korçë.
Burime nga policia thanë se ishin rreth dy kilogram drogë e ngjashme me heroinën e cila ishte fshehur në makinën, tip-Benz me targe KO 8107 B, në pronësi të shtetasit Sejtor Geco, 32-vjeç, lindur dhe banues në Lagjen nr.3 të Korçës.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit 32-vjeçarin Geco pasi e akuzoi për veprën penale të "Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike".
Ndërkohë që hetuesit e antidrogës po vazhdojnë punën për të identifikuar të tjerë persona të mundshëm të përfshirë në këtë trafik.
Burimet policore bënë të ditur se nga hetimet e para dyshohet se droga kishte për destinacion tregun grek, ndërsa ende nuk dihet burimi i saj.
k.k/NOA