Tiranë, 4 qershor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 4 Qershor 2009.
Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme atë të legalizimeve për 6521 banesa dhe shtesa pa leje, të cilat pritet të ligjërohen me anë të një vendimi të posaçëm në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Por një vend të posaçëm, gazetat shqiptare i lënë edhe pasqyrimit të ngjarjes së djeshme, ku u ndot me solar dhe naftë plazhi pranë Pyllit të Sodës në qytetin Vlorës.
E përditshmja "Shekulli" ka si argument kryesor të ditës "Legalizohen 6521 banesa dhe shtesa", i cili flet për masën më të fundit të qeverisë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, që pritet të merret në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Një vend të rëndësishëm kjo gazetë i kushton sot në faqet e saj edhe çështjes së ndotjes së bregdetit të Vlorës me solar në artikullin "Vlorë, derdhen në det 60 ton naftë", i cili jep detaje rreth ngjarjes së djeshme ku u shoqëruan disa persona në polici.
"Fatmir Xhafaj: Listat e votuesve, shkelet Kodi Zgjedhor" është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje, duke vijuar në lidhje me çështjen e zgjedhjeve me një artikull tjetër me titullin "Raporti: Kartat po rrezikojnë zgjedhjet".
Gazeta "Panorama" publikon sot si artikull të saj kryesor atë me titullin "Legalizimet, 6521 emrat e rinj që marrin tapitë", i cili liston gjithë emrat që përfitojnë nga masa lehtësuese e qeverisë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave. Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe "Raporti, qytetarët shqiptarë rrezikojnë të mbeten pa votuar", i cili tregon rezultatet e monitorimit mbi procesin e kartave nga një OJQ.
Ndërsa në një artikull tjetër jepen detaje mbi zhvillimin e Konventës së Lëvizjes Socialiste për Integrim.
"Berisha: Rama e vodhi këngën nga çetnikët serbë" është një artikull tjetër i kësaj gazete, i cili citon deklaratën e djeshme të kryeministrit në Vlorë ndaj rivalit të tij.
Kurse "Deti mbulohet nga nafta dhe solari", është artikulli që pasqyron çështjen e ndotjes së detit të Vlorës, i paraqitur në faqet e brendshme të kësaj gazete.
"Gazeta Shqiptare" ka si artikull kryesor të saj ditën e sotme atë me titullin "SHBA: zgjedhjet në rrezik", i cili tregon se zv/ambasadori amerikan del në terren për të inspektuar vetë, duke e shoqëruar edhe me detaje të tjera.
Një artikull tjetër në këtë gazetë është edhe ai me titullin "Bjondet në modë, Berisha i zgjedh deputete, Rama i diskriminon".
Më pas, kjo e përditshme paraqet edhe artikullin "Kush përfiton tapitë, 25 ditë para zgjedhjeve del lista për të gjithë vendin", i cili trajton çështjen e legalizimeve.
"Qafë-Gjashtë, dëshmia: Vëllait tim i çanë kokën", është një artikull i paraqitur në rubrikën e kronikës së kësaj gazete.
Për të vijuar më pas në rubrikën e ekonomisë me titullin "Zgjedhjet, qeveria cenon planin makroekonomik".
Gazeta "Shqip" hapet me titullin e madh "Kartat, qeveria turbulloi procesin", i cili pasqyron raportin e fundit të publikuar mbi të dhënat e ecurisë së pajisjes me larta identiteti të qytetarëve, duke e cilësuar atë si ndër çështjet problematike për këtë proces zgjedhor.
"Kreu i PS-së prezanton kandidatët e Tiranës, synimi ynë 16 mandate", është artikulli në brendësi të kësaj gazete, i cili citon deklaratat e bëra nga kryesocialisti gjatë prezantimit të kandidatëve të kryeqytetit.
Ndërkaq, në këtë gazetë do të lexoni të vëna përballë njëra-tjetrës intervistat e dy kandidateve të njohura në jetën publike, të cilat vijnë në këto zgjedhje prej dy kampeve të ndryshme politike: "Vasilika Hysi, premtojmë ligje në bazë të standardeve" dhe "Rajmonda Bulku, në Kuvend do të lë mënjanë aktrimin".
E përditshmja "Koha Jonë" hapet me titullin kryesor "Shtesat pa leje, listat që miratohen", i cili tregon se Ministria e Punëve Publike publikon të gjitha listat që i janë paraqitur Këshillit të Ministrave për kalim pronësie, më qëllim miratimin e tyre.
Ndërkaq, një vend kjo gazetë i lë edhe çështjes së ndotjes së detit në artikullin "Vlorë, 60 ton naftë ndotin detin".
Por në faqet e kësaj gazete do të gjeni edhe artikullin "Berisha: Kënga Çohu e Ramës, me motive serbe", e cila citon një nga deklaratat e hedhura dje nga kryeministri ndaj kryesocialistit gjatë mitingut elektoral në qytetin e Vlorës.
Në rubrikën "sociale" të kësaj gazete do të lexoni edhe artikullin "Studimi, 9 plazhe me ndotje bakteriale", ku flitet se ndotjen më të madhe e ka plazhi i Adriatikut.
"Durrës-Kukës, sa shumë përfitime për emigrantët", është një artikull tjetër i kësaj gazete.
Gazeta "Korrieri" hapet me titullin e madh "Flet për herë të parë Aldo Bare: Vrasja e vëllait dhe milionat për arrestimin tim", i cili citon fjalët e të arrestuarit për të fshehtat e tij dhe të familjes.
"Vrasja në lokalin e Rinasit, për krushqinë e prishur", është një artikull tjetër që vjen në këtë të përditshme.
Po në rubrikën e kronikës së kësaj gazete do të lexoni artikullin me titullin "Vëllai i policit peng, Edi u copëtua nga Zani Çaushi".
Ndërsa çështja e ndotjes së plazhit të Pyllit të Sodës, vjen në këtë gazetë me artikullin "Ndotja e plazhit, arrestohet pronari i firmës".
Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni të pasqyruar edhe një shkrim të marrë nga agjencia e Lajmeve NOA, ku tregohet se një emigrant shqiptar në Greqi, i ka dhënë fund jetës duke i lënë një letër policisë.
Gazeta "Standard" hapet me titullin "Qyteza Rama-Delijorgji", i cili tregon të botuar gjithë planimetrinë e lejeve që iu dhanë Delijorgjit nga kryebashkiaku Rama vetëm pak kilometra larg Tiranës.
"Speciale, të gjithë emrat, e pronarëve që legalizohen sot nga qeveria" është një artikull tjetër që vjen në këtë gazetë duke trajtuar ëështjen e legalizimeve.
"Emigrantët, aplikim online për pensionet në Shqipëri", është një ëështje tjetër që merr përsipër kjo gazetë të trajtojë në numrin e saj të sotëm.
n.e/NOA
Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.
Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.