English

Flijimi i shqiptarit, disa të burgosur ngujohen dhe kërcënojnë me vetëvrasje publikisht

Nga bashkëpunëtori në Greqi

Athinë, 4 qershor, - Tre shqiptarë janë futur në grevë urie në burgun e Grevenasë në Greqi, në shenjë proteste ndaj dënimeve që i cilësojnë të pamerituara dhe kushtet e rënda të jetesës në qelitë e tyre.

Ndërkohë dy të tjerë, publikisht kanë paralajmëruar sot se do të kryejnë vetëvrasje në shenjë proteste për kushtet që i quajnë mizore dhe për të cilat kanë marrë dhe përkrahje politike nga deputetë të parlamentit grek.

Ata kanë lëshuar sinjale proteste për vetëvarjen një ditë më parë të emigrantit shqiptar Ismet Boshli, i cili la një letër në qelinë ku u gjet i vdekur në Malandrinë.

Në letër, ndër të tjera, viktima lëshonte mesazhin e bujshëm: "Unë po var veten duke u flijuar, në mënyrë që të jem i dobishëm si një sensibilizim ndaj pjesës tjetër të të burgosurve që trajtohen në mënyrën si u trajtova unë".

I menjëhershëm ka qenë reagimi për ngjarjen. Deputeti Taso Kuraki, i njohur për lajmin e vetëvrasjes së emigrantit shqiptar, foli për "një regjim mesjetar" në burgjet greke.

"Kjo është një tjetër viktimë e shtuar në listën e gjatë e të burgosurve të cilët kryejnë aktin e dhimbshëm të vetëvrasjes. Jo vetëm që kushtet e burgimit, por edhe procedurat disiplinore hakmarrëse, e pajustifikueshme dhe refuzimi i lejeve, janë faktorë të rëndësishëm që çojnë në të tilla ngjarje", - u shpreh deputeti Kuraki.

Ai shtoi se "përgjegjësia mbi të tilla flijime, bie pa dyshim mbi autoritetet e burgjeve".

Ngjarja ka marrë përmasa politike, sepse sot, deputeti i Parlamentit grek, Tasos Kurakis, ka shkuar të inspektojë burgun e Grevenasë si dhe ka takuar personalisht tre të burgosurit shqiptarë të ngujuar prej dy ditësh.

Paralajmërimi

Po ditën e sotme, ka pasur zhvillime të tjera lidhur me të burgosurit. Dy shqiptarë, përkatësisht 25 vjeç dhe 40 vjeçar, të cilët ndodhen duke vuajtur dënim në burgun e Alikarnasus, kanë paralajmëruar publikisht përmes mediave për vetëvrasje, citohet e përditshmja kombëtare greke, "Elefterotipia".

I riu 25-vjeçar po gjykohet nga drejtësia greke në Lamia dhe 40-vjeçari, në Larisa. Ajo që ata kërkojnë dhe u është refuzuar, është se duan të jenë në paraburgim pranë qytetit ku po procedohen penalisht, ku edhe kanë të afërmit e tyre.

Mëngjesin e sotëm, dy shqiptarët arritën të ngjiten në tarracën e burgut në Alikarnas dhe klithën me të madhe duke provokuar ardhjen e kamerave që regjistruan pamjet e rralla.

"Ne do të vrasim veten", deklaruan të paraburgosurit duke folur në greqisht.

Një orë më vonë, në burg ka mbërritur një zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve i cili ka premtuar se në këmbim të heqjes dorë nga vetëflijimi, do të jepnin një përgjigje të shpejtë për kërkesën e tyre, që thanë se brenda ditës së nesërme do ta shqyrtojnë në Ministrinë e Drejtësisë.

 Si nisën reagimet

Reagimet e forta erdhën pasi një ditë më parë, një emigrant shqiptar u gjet i vdekur në qelinë e burgut të Malandrinës në Greqi.

Policia e klasifikoi ngjarjen si një vetëvrasje të ardhur pas refuzimit nga autoritetet të një kërkese për liri të përkohshme. Në të vërtetë, i ndjeri la një letër ku shpjegonte ngjarjen.

Policia e Athinës tha për agjencinë e lajmeve NOA se viktima është Ismet Boshli, shtetas shqiptar, i proceduar penalisht nga drejtësia greke. I ndjeri po vuante një dënim në burgun e Malandrinës.

Sipas të dhënave nga hetimit, Ismet Boshli, u gjet i varur në orën 04.00 të ditës së mërkurë, në qelinë ku qëndronte duke vuajtur dënimin prej nëntë vjetësh.

"Viktima Ismet Boshli, kishte lënë një shënim në një copë letër, ku sqaronte se ishte i indinjuar nga fakti se prej nëntë vjetësh me radhë, asnjëherë nuk i ishte dhënë mundësia për liri të përkohshme sikundër aplikojnë dhe fitojnë një numër të dënuarish të tjerë", citoi policia, pjesë nga letra që sekuestroi si provë materiale të ngjarjes.

Në letër, viktima shprehte dhe pakënaqësi për kushtet në mjediset e burgut të Malandrinës. Po ashtu, në letër i ndjeri shkruante se kërkonte nga familja e tij që të mos mërzitet për faktin se ai po ikte nga kjo botë.

Në Greqi, policia ka pohuar se është e frikësuar nga fakti se ekziston një klimë e rëndë në burgje, ku shumë emigrantë, sidomos shqiptarë, janë të irrituar nga fakti se për akuza të trafikut të drogës kanë marrë dënime të paapelueshme, sipas tyre të diskutueshme, që shkojnë deri në 101 vjet burgim, sipas ligjeve greke.

Vetëvarja e Ismet Boshlit dhe kërcënimi nga të tjerë se do të ndjekin rrugën e tij, ka sjellë lëvizje, që gjithsesi nga mediat greke cilësohen të ngadalta, kurse organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, thonë se kushtet e të burgosurve janë tejet të rënda dhe dënimet ndaj të huajve, shumë të dyshimta.

n.s/NOA

KOMENTE