Tiranë, 4 qershor NOA - Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni doli sot në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur se lista përfundimtare e zgjedhësve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 Qershorit 2009, tashmë është ngarkuar në internet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe mund të gjendet në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Brendshme ne ikonën "Lista e zgjedhësve 2009".
"Gjithkush mund të verifikojë fare lehtë emrin e tij në listën përfundimtare të zgjedhësve. Në më pak se një sekondë në kërkim shfaqen të dhënat e zgjedhësit dhe përbërësit zgjedhorë,- tha Zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni.
"Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pas përpunimit të informacionit dhe vendimmarrjes të të gjithë kryetarëve të njësive vendore, ka vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën përfundimtare të zgjedhësve, numrin e zgjedhësve për çdo njësi vendore, numrin e qendrave të votimit dhe adresat e tyre përkatëse, si dhe numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi" shtoi më tej Poni.
Sipas tij, ky informacion do t'u vihet në dispozicion edhe të gjitha subjekteve politike të interesuara.
k.k/NOA