English

Obama, fjalim në Universitetin e Kajros, flet për botën myslimane

Kajro, 4 qershor, NOA - Presidenti Barak Obama pritet të mbajë pas pak një fjalim në Universitetin e Kajros, i cili po pritet me shumë vëmendje nga e gjithë bota, sidomos ajo myslimane, pasi bëhet e ditur se ai do të përmbajë mesazhe drejtuar saj.

Bëhet e ditur nga burime afër tij, se fjalimi i shumëpritur i Obamës do të jetë i shoqëruar me frymë bashkëpunimi dhe sinqeriteti mes botës perëndimore dhe asaj myslimane, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë zërat e kohëve të fundit se Obama në të vërtetë ka tendencë të ndjekë politikat e bushit lidhur me këtë të fundit.

Por në të njëjtën kohë, pritet që Obama në fjalimin e tij të flasë edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për çështje të ekstremizmit dhe dhunës fetare. Në kuadrin e turneut të tij në Lindjen e Mesme, i cili ka nisur me vizitën e djeshme të Arabinë Saudite, Obama mbërrin sot në Egjipt, ku do të lançojë mesazhe pozitive ndaj botës myslimane.

Burime nga Shtëpia e Bardhë bëjnë të ditur se ai ka punuar gati një muaj për këtë fjalim, pasi e ka konsideruar si mjaft të rëndësishëm.

Menjëherë pas arritjes së Presidentit Obama në Rijad, televizioni Al-Xhazira transmetoi një audiokasetë të re me zërin e Osama bin Ladenit, i cili kritikonte përpjekjet e e tij për t'u lidhur me myslimanët. Ndërkaq, nga Egjipti, presidenti Obama do të shkojë në Gjermani për bisedime me kancelaren Angela Merkel dhe do ta përfundojë turneun në Francë ku do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 65-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normadi që ndihmoi në fitoren e Luftës së Dytë Botërore.

n.e/NOA

KOMENTE