English

Partia Socialiste diskuton "28 Qershorin", hedh si opsion, shtyrjen e zgjedhjeve

Tiranë, 4 qershor NOA Update - Shtyrja e zgjedhjeve është një opsion dhe kjo po mendohet "seriozisht" nga partia më e madhe e opozitës.

Pohimet u bënë nga Sekretari për Çështjet Ligjore i PS, Fatmir Xhafaji cili ka qenë sot në Prokurorinë e rrethit Tiranë, ku ka dorëzuar tre kallëzime penale.Xhafaj ka dhënë dhe një deklarim për mediat pas dorëzimit të kallëzimeve në prokurori. Ai tha se "një kallëzim penal që ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit nga një shtetas, kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike, duke shitur kupona në këmbim të votës dhe e treta ka të bëjë me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme".

Xhafaj paralajmëroi se për manipulime të mundshme me procesin zgjedhor, do të përgjigjen përpara ligjit, sot edhe nesër, cilido që do të guxojë të bëjë një veprim të tillë, qoftë ky një shtetas që përdoret nga segmente të caktuara për efekt të manipulimit dhe të ndryshimit të rezultatit elektoral, qoftë i strukturave partiake, qoftë nëpunës apo funksionar i lartë i Shtetit.

I pyetur nëse kishte dorëzuar kartën e manipuluar në prokurori, Xhafaj mohoi të konfirmojë duke thënë se "ne kemi depozituar kallëzimin dhe provat përkatëse, i takon institucionit të akuzës të bëjë veprimet e mëtejshme ligjore."

Kurse i pyetur nëse PS do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nëse rrezikon data e zgjedhjeve, Xhafaj u përgjigj në këtë mënyrë: "Ne jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë, është bërë e njohur përmes konferencave të shtypit, deklarimeve publike, letërkëmbimeve të herëpashershme që kemi patur me dikasterin përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për këtë çështje".

Duke vijuar në këtë argument, Xhafaj tha se "mbi bazën e ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një moment shumë të përshtatshëm dhe të afërt ne do të marrim vendimet përkatëse politike". Xhafaj paralajmëroi se "natyrisht nuk përjashtohet asnjë opsion", - duke shtuar se "ne nuk do të lëmë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit për të ushtruar të drejtën e votës".

e.l/NOA

KOMENTE