Fier, 4 qershor NOA - Kandidati për deputet i PS, Gamoz Ruci ka qenë sot në fshatin Verri të qarkut Fier.
"Jemi në momentin kur duhet të numërojmë ditët, orët dhe minutat e një pushteti uzurpator, që fatkeqësisht për vendin, rrëmbeu pushtetin më 2005-n. Një pushtet gënjeshtar që ka 4 vjet që gënjen dhe na ushqen me lugën bosh. Një pushtet grabitës, që ka vjedhur xhepat e çdo shqiptari, të çdo pensionisti, të çdo arsimtari, të çdo infermieri dhe të çdo fermeri. Një pushtet që të vret ditën në diell dhe pastaj thërret makinën e funeralit për të të varrosur, apo thërret ambulancën për të të dërguar në spital" u shpreh Ruçi.
"Ata thonë se na kanë rritur rrogat. Ata bëjnë që ne të numërojmë të gjithë bashkë 100 herë qindarkat që kujtojnë se na i kanë dhënë si lëmoshë dhe jo si detyrim që çdo qeveri ka për popullin e vet. Dhe në emër të kësaj lëmoshe na kërkojnë përsëri votën në datën 28" shtoi më tej Ruçi.
Sipas tij me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën do të fitojnë socialistët e demokratët, do të fitojnë pensionistët dhe arsimtarët, do të fitojë çdo shqiptar që në 28 qershor do të bashkojë votën e tij me atë uragan popullor që do të ndëshkojë të ligën dhe të liqtë me pushtet.
k.k/NOA