English

Skandali Sejdiu-Ivanov, Nexhat Daci kritika qeverisë e presidencës kosovare

Prishtinë, 4 qershor, NOA - Kreu i LDD-së, Nexhat Daci lidhur me rastin e anulimit të vizitës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në Maqedoni ka akuzuar qeverinë dhe presidencën e Kosovës për paaftësi në politikën e jashtme dhe në përgjithësi, në atë të brendshme.

"Të gjitha sinjalet janë shumë të këqija. Unë e kam përshëndetur vetëm aktin e izoluar të respektimit të vetvetes dhe të Kosovës. Por si mund t'ju respektojë dikush nëse ju çdo javë dhe çdo ditë shkoni në vizita private për biznes privat ose diçka tjetër dhe jeni udhëheqës i Kosovës? Si mund t'ju respektojë dikush që presidenti i vendit në vazhdimësi komunikon me mediat, pse shkoi, pse nuk shkoi. A thua ka strukturë protokollare ky shtet? A thua ka individ që dinë me udhëheq politikën dhe që porosit të shkojnë në kanale diplomatike, sepse kur bëhen skandalet në nivel të presidentëve, pastaj e vuan ekonomia e vuajnë qytetarët", deklaroi akademiku Daci në një intervistë.

Daci ka theksuar se ndonjëherë disa çështje shumë të ndjeshme nuk po trajtohen me pjekuri dhe përmes kanaleve diplomatike duhet të zgjidhen çështjet, por krejt kjo bëhet për propagandë të mbjelljes së fidanëve në politikën e jashtme edhe në atë brendshme.

"Mos të harrojmë se në Maqedoni dhe Mali e Zi që po lëkunden çështjet, janë çështje të rrezikshme për të dy vendet. Në asnjë vend prej tyre nuk ka stabilitet të plotë. Në Maqedoni kemi një përqindje shumë të lartë të popullatës shqiptare 30 për qind. Në Malin e Zi dihet se si është arritur njohja. Dhe sjelljet tona të papërgjegjshme ndaj pakicës malazeze në Kosovë. Krejt kjo po jep një qasje jo të mirë. Kur ju nuk e respektoni shtëpinë e juaj dhe gjithkush ju bart për hunde ose për kravate atëherë pse ka për obligim t'ju respektojë një shtet", theksoi Daci.

NOA-INA

KOMENTE