Tetovë, 4 qershor, NOA - Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka prezantuar në Tetovë detaje të marrëveshjes së re midis shqiptarëve dhe maqedonasve që po e harton ky subjekt politik me një grup ekspertësh.
Hapja e të gjitha çështjeve midis maqedonasve dhe shqiptarëve, qeveri partneriteti midis partive shqiptare dhe maqedonase me mekanizma që garantojnë një program të përbashkët dhe të vetëm qeveritar, shpërndarje e barabartë e fondeve të buxhetit dhe fondeve të bashkësisë evropiane, zgjidhja e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe, janë disa nga pikat që përmban marrëveshja e PDSH-së, e cila po përpilohet nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe të huaj dhe që pritet të prezantohet në shtator.
Kryetari i PDSH-së disa nga këto çështje i ka shpalosur para anëtarësisë së degës partiake në Tetovë.
"Kjo marrëveshje po vjen në kushte paqësore dhe është një propozim për të tashmen dhe të ardhmen. Ofrojmë partneritet midis maqedonasve dhe shqiptarëve dhe nuk dalim nga baza e demokracisë multietnike", ka theksuar kryetari i PDSH-së. Kreu i kësaj partie ka dalur me marrëveshje të re pas tejkalimit të të gjitha afateve të mosrealizimit të marrëveshjes paqësore të Ohrit.
I pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski për mbajtjen e referendumit për çështjen e emrit, Thaçi deklaroi se shqiptarët nuk do të votojnë për robërinë e re të tyre.
"Referendumin që e thotë Gruevski duhet të ketë parasysh edhe ai, por edhe Akademia e shkencave maqedonase se përveç që ka këtu shqiptarë dinjitozë ka edhe shqiptarë të mençur që i kuptojnë qëllimet e tyre. As në ëndërr nuk do ta shohin që shqiptarët në mënyrë vullnetare të votojnë për robërinë e re të tyre", ka nënvizuar kryetari i PDSH-së.
Sipas tij, shqiptarë nuk do të votojnë për identitetin Maqedonas që do të identifikohet me identitetin shtetëror të këtij shteti.
"Mund të bisedojmë për këtë çështje nëse ata do të pajtohen që të sjellin një ligj kushtetues lex specialis ku do të garantohet identiteti i shqiptarëve dhe gjuha e shqiptarëve me të gjitha të drejtat e tjera", theksoi kryetar i PDSH-së, Menduh Thaçi.
NOA-INA